Një “bombë” mes Katarit dhe Izraelit – Shqip

by admin
Spread the love

Një zëdhënës i diplomacisë së Katarit tha se ishin “të tmerruar” nga deklaratat që i atribuohen kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për rolin ndërmjetësues të Doha-s në luftën në Rripin e Gazës.

Gjatë një takimi me anëtarët e familjeve të pengjeve këtë javë, Netanyahu kritikoi Katarin, i cili po ndërmjetëson me Egjiptin dhe SHBA-në dhe ndihmoi në nënshkrimin e marrëveshjes njëjavore të armëpushimit në fund të nëntorit që lejoi lirimin e më shumë se 100 pengjeve të Hamasit.

“Nuk më dëgjuat të falënderoj Katarin (…) Në thelb nuk ndryshon nga Kombet e Bashkuara apo Kryqi i Kuq dhe është edhe më problematik. Unë nuk kam iluzione,” u tha zoti Netanyahu familjeve, sipas një regjistrimi audio të siguruar nga rrjeti televiziv izraelit Channel 12.

“Ata (përfshirë Katarin) kanë mjetet për të ushtruar presion (mbi Hamasin). Pse? Sepse ata po e financojnë atë”, ka vijuar Netanyahu, duke deklaruar gjithashtu se ishte “shumë i zemëruar” për vendimin e Uashingtonit për të rinovuar për dhjetë vjet marrëveshjen për praninë ushtarake amerikane në shtetin e Gjirit.

“Ne jemi të shokuar nga komentet që i atribuohen kryeministrit izraelit në media të ndryshme në lidhje me rolin ndërmjetësues të Katarit. Nëse këto komente verifikohen, ato janë të papërgjegjshme dhe shkatërruese ndaj përpjekjeve për të shpëtuar jetë të pafajshme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majid al-Ansari.

Katari, Egjipti dhe SHBA po ndërmjetësojnë aktualisht një armëpushim të ri në Rripin e Gazës për të lejuar lirimin e qindra pengjeve të mbetura atje, si dhe për më shumë ndihmë humanitare për popullsinë civile të enklavës palestineze.

Nëse deklaratat që i atribuohen janë bërë vërtet, “kryeministri izraelit nuk bëri gjë tjetër veçse minoi procesin e ndërmjetësimit, për arsye që duket se i shërbejnë karrierës së tij politike dhe jo pengjeve izraelitë”, theksoi Ansari, duke shtuar se Netanyahu nuk duhet “të shqetësohet për marrëdhëniet strategjike të Katarit me SHBA-në”.

Katari pret në territorin e tij selinë e komandës së përbashkët të Shteteve të Bashkuara në krye të rajonit të Lindjes së Mesme (CENTCOM, “Komanda Qendrore”), në bazën ushtarake Al Udeid dhe lejon ankorimin e anijeve detare amerikane që patrullojnë në Gji.

Në të njëjtën kohë, Katari pret lidershipin politik të Hamasit dhe në vitet e fundit ka ndarë qindra miliona dollarë ndihmë për Rripin e Gazës, i qeverisur që nga viti 2007 nga kjo lëvizje. /tesheshi.com/

 

You may also like