Nis Kupa e Afrikës, vazhdon misteri i futbollistit të Crvena Zvezdës që ka lindur 4 vite pas vdekjes së të ëmës

by admin
Spread the love

Kupa e Afrikës çon siparin këtë fundjavë me ndeshjet e para të fazës në grupe të saj, në kërkim të fituesit për këtë edicion të trofeut më të lakmuar të këtij kontinenti. Dhe bashkë me turneun, kthehet pas tre vitesh përsëri edhe pyetja e famshme: Sa vjeç është Guelor Kaku Kanga?

Mesfushori i Crvena Zvezdës është pjesë e përfaqësueses së Gabonit dhe zyrtarisht është 33-vjeçar. Por që nga viti 2021, rreth tij ka gjithmonë në pyetje rreth moshës që përsëritet vazhdimisht dhe që ka detyruar Konfederatën Afrikane të rihapë hetimet para fillimit të aktivitetit.

Sipas dokumenteve zyrtare të paraqitura nga lojtari, ai ka lindur më 1 shtator 1990. Por si për çudi, dokumentet zyrtare tregojnë njëkohësisht se e ëma e tij ka vdekur në vitin 1986, pra 4 vite para se ai të lindte!

Një situatë absurde për të cilën ka pasur disa denoncime zyrtare nga kundërshtarët që në turneun e vitit 2021. Përfaqësuesit e RD Kongos publikuan disa dokumente që tregonin se emri i tij i vërtetë ishte Kiaku Kiaku Kiangana dhe në fakt, kishte lindur në Kinshasa në tetorin e vitit 1985, duke mashtruar me dokumentacionin e lindjes për të ulur ndjeshëm moshën.

Asokohe futbollisti u la të luante me ekipin e Gabonit dhe nuk është penguar asnjëherë që të zbresë në fushë me këtë përfaqësuese. Por tanimë Konfederata Afrikane kërkon t’u japë fund të gjitha dyshimeve dhe në ditët në vijim, do të ftojë Kakë Kanga që të japë versionin e tij të ngjarjeve, që të dalë mbi një konkluzion rreth moshës reale të lojtarit. Ai ndryshimin e kishte bërë në vitin 2007, kur ishte transferuar për të luajtur në Gabon dhe kishte marrë nënshtetësinë e këtij vendi.

PANORAMASPORT.AL

You may also like