Nis eksodi i 1 milion palestinezëve nga Gaza, OKB: Nuk ka asnjë cm tokë ku ata të jenë të sigurt

by admin
Spread the love

Pas një tjetër nate bombardimesh intensive, Izraeli ka paralajmëruar civilët në Gaza që të largohen nga jugu në prag të ofensivës tokësore. Urdhri i evakuimit prek thuajse gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë njerëz të territorit palestinez.

Gaza është bombarduar pa pushim që prej së shtunës së kaluar, kur Hamas kreu sulmin e saj brutal.

Izraeli deklaron se synon t’i shkatërrojë kapacitetet ushtarake të lëvizjes islamike dhe se nuk po godet civilët. Por OKB thotë se qytetarët e thjeshtë do të preken gjithsesi nga luftimet.

Hamada El Bayeri nga Zyra për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, deklaroi: “Nuk ka vend të sigurt në Gaza. Nuk ka asnjë centimetër imun ku njerëzit mund të ndihen të sigurt. Gaza është e gjitha e ekspozuar dhe sikurse e thash më herët, nuk ka infrastrukturën për përmbushjen e nevojave bazë”.

Teksa banorët e Gazës bëhen gati për operacionin tokësor, Hamas u ka bërë thirrje atyre që të injorojnë urdhrat e Izraelit për t’u larguar dhe të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Situata e qytetarëve në Gaza është edhe më e rëndë pasi nuk mund të kalojnë kufirin për në Egjipt.

Sipas një raportimi të fundit nga OKB-ja, deri më tani 423 mijë palestinezë janë zhvendosur nga Rripi i Gazës, nën rrethimin gjashtëditor dhe bombardimet e ushtrisë izraelite.

OKB-ja po ashtu raporton se në Rrip janë regjistruar të paktën 1537 vdekje, duke përfshirë 500 fëmijë që kanë humbur jetën.

Ndërkohë, Izraeli ka dalë me një mesazh të fundit rreth procesit të evakuimit.

“Ne e kuptojmë se evakuimi i popullsisë do të marrë kohë. Tani jemi duke verifikuar shifrat“, ka thënë zëdhënësi ushtarak i Izraelit, Daniel Hagari.

Urdhri izraelit është dhënë me fletëpalosje, mesazhe radio dhe telefonike dhe në internet edhe popullsia e Gazës do të duhet të lëvizë menjëherë në jug të Wadi Gazës për arsye sigurie. Sipas tij, kjo mund të zgjasë më shumë se 24 orë.

You may also like