LAGOS, 26 dhjetor /ATSH-DPA/ – Disa persona të armatosur vranë rreth 100 civilë gjatë sulmeve në vigjilje të Krishtlindjeve në fshatrat e krishtera në Nigeri, raportoi sot policia, megjithëse disa zyrtarë thanë se numri i të vdekurve është edhe më i lartë.
Gjithsej 15 fshatra në shtetin qendror të Plateau ishin objektiv i sulmeve të koordinuara dje në mbrëmje.
Një zëdhënës i policisë së shtetit, Alfred Alabo, tha se më shumë se 79 persona u vranë në 12 komunitete në Zonën e Qeverisjes Lokale Bokos, ndërsa 17 të tjerë u vranë në Zonën e Qeverisjes Lokale Barkin-Ladi.
Por, Dikson Chollom, një ligjvënës lokal në Barkin-Ladi tha sot se 50 civilë ishin vrarë vetëm në atë zonë.
Kassah, kryetari i Zonës së Qeverisjes Lokale Bokkos, u tha dje gazetarëve se atje ishin vrarë 113 persona.
Shumica e viktimave thuhet se ishin gra dhe fëmijë. Më shumë se 300 persona u plagosën.
Sipas policisë, sulmuesit, të cilët ende nuk janë identifikuar, kanë djegur shtëpi, makina dhe motoçikleta.
Banorët e komuniteteve kryesisht të krishtera akuzuan barinjtë myslimanë Fulani për kryerjen e sulmeve.
Një konflikt i përgjakshëm për tokën është ndezur prej vitesh në qendër të Nigerisë.
Barinjtë e bagëtive që migrojnë drejt jugut nga Nigeria veriore sulmojnë komunitetet bujqësore lokale në një përpjekje për të marrë me forcë tokën e tyre pjellore.
Ndryshimet klimatike e kanë përkeqësuar krizën.//a.i/