Nga starti, te festa e Calhanoglu dhe efekti Giroud: Si e fitoi Milani titullin

by admin
Spread the love

Nga Ibra te Ibra. E vetmja urë lidhëse mes titullit të vitit 2011 dhe të këtij sezoni për kuqezinjtë. Me gjithë garën dhe sfidën e ethshme me Napolin dhe Interin, mungesat dhe dëmtimet e shumta gjatë gjithë sezonit, Pioli arriti që të drejtojë një skuadër që qëndroi shumë gjatë në vendin më të lartë të renditjes, e mbi të gjitha e mbylli në vend të parë. Ndodhi për të 19-ën herë në historinë e Djallit. Si një nga skuadrat me moshën mesatare më të re në Serinë A, 26.2 vite, ky grup lojtarësh, krahas trajnerit, pati në përbërje edhe liderin e vërtetë: Zlatan Ibrahimovic.

Megjithatë, sjellja taktike e diktuar nga trajneri mbi të gjitha bëri të mundur që të krijonte pavarësinë nga Ibra, i cili pati një sezon të vështirë dhe me shumë dëmtime. Falë besimit dhe punës së trajnerit Pioli, javë pas jave, Milani fitoi protagonistë shumë të rëndësishëm, si Leao me 11 gola, Giroud po me 11 gola, Kessie me 6 dhe Tonali, Messias e Theo Hernandez me nga pesë gola.

NISJA FANTASTIKE

Dhjetë fitoret në 11 ndeshjet e para, me vetëm një barazim në fushën e Juventusit, ishin sinjali i parë për përmbysjen e Interit këtë sezon. Paraqitja fantastike bëri që kuqezinjtë të shkonin në derbin e 7 nëntorit me një avantazh prej 10 pikësh.

FESTA E CALHANOGLU

Për Milanin, një episod i rëndësishëm i këtij sezoni ishte edhe ajo festë e Calhanoglu në derbi, si ish. Goli i barazimit 1-1 në fund nga turku dhe festa poshtë ultrasve të Milanit ishte shenja domethënëse se këtë vit do të ishte deri në fund një derbi për titull. Dëmtimet e shumta dhe pjesëmarrja në grupet e Championsit me një skuadër të cunguar i uli ritmin skuadrës së Piolit dhe me mungesën e Maignan kuqezinjtë shënuan humbjen e parë në Firence, 4-3. Më pas Sassuolo triumfoi në San Siro dhe pak ditë më vonë erdhi edhe eliminimi nga Champions League. Gabimet e shumta dhe ajo  humbje me shumë polemika ndaj Napolit bënë që kuqezinjtë të zbresnin në vend të dytë. Interi u shpall kampion dimri. Emergjencat e shumta në atë pikë të sezonit bënë që trajneri Pioli të sugjeronte Kessie në një rol të ri, atë të trekuartistit.

RADHA PËR EFEKTIN GIROUD

Viti i ri nisi me një Milan që kishte marsh maksimal dhe siguroi triumfe të rëndësishme. Pas barazimit me Juventusin, Milani shkoi në derbi me shtatë pikë më pak dhe Interi kishte edhe një ndeshje të prapambetur për të luajtur. Mirëpo, ajo dopietë e sulmuesit francez për 4 minuta bëri që Milani të shijonte efektin Giroud. Një përmbysje e derbit, që coi krizën te skuadra tjetër e Milanos dhe i dha Milanit shtysën e duhur për t’u rikthyer edhe një herë në majën e klasifikimit. Parakalimi erdhi sërish me firmën e Giroud, këtë herë ndaj Napolit në muajin mars.

PIKA E KTHESËS, TONALI DHE RADU

Për momentin kyç të këtij sezoni, të dyja skuadrat milanezë kanë episode të përbashkëta që sollën festën e Milanit dhe hidhërimin e Interit. Pasi Pioli blindoi prapavijën, me një super Maignan, Milani vuajti jo pak në dy ndeshje barazimet pa gola, ndaj Bologna e Torino, me Interin që kërcënonte me sfidën e prapambetur ndaj Bologna, Në Olimpico, ai gol i Tonalit, ktheu shpresën e madhe të Milanit, duke përmbysur Lazion dhe duke çuar për Interin një presion të madh. Këta të fundit, në momentin e parë që mungoi kapiteni Handanovic, e pësuan me një gafë të Radu, që solli humbjen kundër Bologna. Shans i shpërdoruar nga Interi për t’u ngjitur në krye.

FESTA NË REGIO EMILIA

Etapa e fundit. Shumë e thjeshtë. Ndaj Sassuolos, në “Mapei Stadium”, ishte gjithçka kuqezi. Consigli ndaloi disa herë kuqezinjtë e Milanit, por shpejt erdhën edhe golat që sollën triumfin e skuadrës së Piolit. Tre asiste të Leaos, dopieta e Giroud dhe goli i Kessie i dhanë festën Milanit, që mbylli gjithçka brenda minutës së 36-të. Pjesa e dytë ishte e vetmja pengesë për tifozët, që sapo dëgjuan vërshëllimën finale zbritën në fushë, ku shpërtheu festa. Askush nuk kishte më nevojë të pyeste çfarë po ndodhte në “San Siro” me Interin. Milani festoi titullin për herë të 19-të në histori. / oversport.tv

You may also like