Nëse jeta jonë diktohet nga fati, po ne vetë, a kemi diçka në dorë?

by admin
Spread the love

Nga Jake Wojtowicz

Për mirë a keq, fati mund të shfaqet nga askundi dhe ta ndryshojë jetën tonë. Ju mund të jeni duke kaluar rrugën dhe përplaseni nga një makinë, ose mund të përfundoni duke u “përplasur” në rrugë me dikë që do të jetë më pas dashuria e jetës tuaj.

Një mënyrë e natyrshme e të menduarit mbi fatin, është që na ndodh. Gjëra, të papritura dhe të pakontrolluara, na ndodhin shpesh. Ajo që na ndodh natyrshëm, bie ndesh me atë që bëjmë. Por në esenë e tij “Fati moral” (1981), filozofi britanik Bernard Uilliams sugjeron shembullin e një shoferi kamioni që përplas për vdekje një fëmijë.

Shoferi nuk e vrau fëmijën për shkak se ishte i dehur, apo pse po ecte me shpejtësi tej normave të lejuara. Ai ishte thjesht i pafat. Në një rast të tillë, siç e theksoi më vonë Uilliams më vonë në librin e tij “Turpi dhe domosdoshmëria” (1993): “Gjëja e tmerrshme që i ndodhi, pa asnjë faj të tijin, ishte që ishte pikërisht ai që e shkaktoi atë gjë”.

Ai e përplasi dhe e vrau fëmijën. Por fati mund të bëjë më shumë se sa vetëm ajo që na ndodh; ai mund të ndikojë në atë që bëjmë. Ose thënë ndryshe: ajo që ne bëjmë, nuk është tërësisht në kontrollin tonë. Uilliams i vuri një emër një emocioni që mund të shoqërojë të bërit gjëra të këqija për shkak të fatit të keq: keqardhja.

Dhe kjo ndenjë është e ndryshme nga pendimi , të cilin Uilliams e lidh me gjërat e këqija që janë bërë me vetëdije. Tragjedia e shoferit, nuk është se ai po ecte shpejt apo pa kujdes. Ngjarjet e vullnetshme mund të ngjallin pendim;tragjedia e tij është thjesht se ai vrau dikë. Keqardhja varet nga kjo. Ajo për të cilën shoferit i vjen keq është që ai e bëri atë akt, ai e vrau fëmijën.

Problemi me fatin, nuk është se ai mund të ndikojë vetëm tek ajo që bëjmë në mënyra të vogla ose të parëndësishme (edhe pse e bën edhe këtë). Problemi është se ai mund të ndikojë gjithashtu në veprimet tona, në mënyra që na e ndryshojnë jetën.

Ne mund ta imagjinojmë shoferin të ndiejë një keqardhje aq të thellë, sa që ia shkatërron pjesën tjetër të jetës. Dhe duket se është e kuptueshme:ai ndihet shumë keq pasi ajo që bëri, edhe pse pa  asnjë faj, ishte e tmerrshme. Kësisoj, është shumë shqetësuese të kuptosh, se sa shumë mund të ndikojë fati në atë që bëjmë.

Por në këto kushte, a duhet të jemi të dorëzuar para fatit? Një qasje alternative, thotë se ajo që ne bëjmë – apo ajo që ka rëndësi në atë që bëjmë – është vetëm ajo që ne kontrollojmë, dhe pjesa tjetër janë thjesht gjëra që ndodhin në botë.

Ne mund të pendohemi për këto gjëra, si për çdo ngjarje të këqe që ndodh në botë, por ne nuk mund të ndihemi fajtorë, pra të shqetësohemi për faktorët që janë jashtë kontrollit tonë. Problemi me këtë qasje, është se shumë gjëra nga ato që bëjmë, duket se varen nga gjërat që nuk i kontrollojmë.

Për të ngritur krahun, ju keni nevojë bashkëpunimin e trupit juaj; që të hidhni një gur disa metra tej, duhet të shmangni erën e fortë. Një qasje e tillë, e kufizon në mënyrë të pashmangshme ndikimin tonë në një fushë të caktuar. Ndoshta gjithçka që ka rëndësi kur bëhet fjalë për ndikimin tonë, është ajo që do të bëjmë.

Kjo është pikëpamja që Uilliams e lidh me filozofin e shekullit XVIII-të, Emanuel Kant, një pikëpamje që i jep formë asaj që Uilliams e quan “ngushëllim për një ndjenjë të padrejtësisë së kësaj bote”. Nëse ndikimi ynë është i kufizuar në atë që përpiqemi të bëjmë, atëherë peripecitë që na rezervon fati, e humbasin avantazhin e tyre.

Për shoferin e pafat që vret një fëmijë, fakti që sjellja e tij ishte e paqortueshme, mund të jetë një lehtësim, dhe kjo mund ta veçojë atë nga ata që kanë qenë keqdashës apo të pamatur në tragjedinë që kanë shkaktuar. Nuk ka asnjë dyshim, se ndonjëherë duhet të ngushëllohemi, dhe duhet të njohim faktin që një “pemë” e mire, mund të risë “fruta të këqija”.

Por ky ngushëllim vjen me një kosto. Uilliams mendon se nëse do ta izolonim ndikimin tonë vjetjak nga fati, atëherë ndikimi ynë do të ishte një koncept sipërfaqësor. Dhe kjo vjen nga pranimi se panorama kantiane na diastancon nga bota.

Sipas kësaj tablloje, vetja jonë humbet shumë nga fuqia e saj për të pasur një ndikim në botë. Madje nuk na lejon të hedhim gurët, apo të ngremë krahët. Nëse mendojmë se ndikimi ynë në botë është një pjesë e rëndësishme e rolit që ne kemi në ato që ndodhin në jetën tonë, atëherë duhet të pranojmë që mund të veprojmë në botë, edhe pse ndikimi që kemi është pjesërisht jashtë kontrollit tonë.

Ne duhet të pranojmë se ajo që bëjmë varet nga fati. Ndonjëherë ne përpiqemi të bëjmë diçka, dhe kjo ndodh. Por nuk ndodh thjesht; përkundrazi, ne kemi aftësinë ta lëmë veten të arrijë atë atë që do. Problemi është se aftësitë tona janë të papërsosura, të gabueshme, njerëzore.

Faktori keqardhje lind kur këto aftësi shkojnë keq, kur përpiqemi të bëjmë diçka tjetër, dhe kur na ndodh diçka e keqe. Gjërat e këqija që bëjmë, nuk janë të kufizuara vetëm në ato vepra për të cilat jemi fajtorë. Kjo për shkak se aftësitë mund të na çojnë në rrugë të gabuar edhe pa pasur asnjë faj tonin; ato mund të na gabojnë jo përmes keqdashjes, por thjesht sepse janë të gabueshme.

Në raste më të rëndoma, ju ecni në një bar dhe i derdhni dikujt mbi rroba gotën që ka përpara.

Në raste më të ënda, përplasni dikë me makinë duke i marrë jetën. Dikush që mund ta lexojë Uilliams, mund të ketë një pikëpamje edhe më pesimiste mbi botën.

Tek e fundit, Uilliams fokusohet me shumë tek ngjarjet tragjike sesa tek incidentet fatlume, që mund të ndikojnë në jetën tonë. Ai përdor shembuj të tillë si shoferi i kamionit, dhe bazohet në histori të famshme nga letërsia, siç është vetëvrasja e Ana Kareninës.

Dhe në fakt Uilliams mund të jetë vërtet i zymtë. Të paktën, këndvështrimi kantian e vendos fatin tonë në duart tona. Por ka edhe diçka thellësisht të fuqishme në zhvendosjen e Uilliamsit nga pikëpamja kantiane. Reflektimi mbi fatin, nuk ka pse të na nxisë të tërhiqemi në terrenin e sigurt por të kufizuar të asaj që në e kontrollojmë plotësisht.

Ajo mund të riafirmojë fuqinë tonë si ndikues të fatit tonë, si dhe të inkurajojë ambicien tonë. Ne mund të lëmë një shenjë në këtë botë, dhe ndonjëherë kjo shenjë mund të jetë spektakolare. Nga një vepër arti, tek një goditje në fushën e futbollit, nga gjërat që shkruajmë tek ushqimet që përgatisim, këto gjëra nuk ndodhin thjesht:ato duhet t’i kërkojmë, dhe të përdorim aftësitë tona për t’i realizuar.

Dhe ato janë veprimet tona, shenja që ne i lëmë në këtë botë si ndikues. Pa e pranuar se mund të dështojmë, se mund të pendohemi për atë që kemi bërë, ne nuk do të ishim në gjendje të arrinim ndonjë nga këto gjëra. Ka diçka më entuziamuese në njohjen e këtij fakti, në vend se ta jetojmë jetën tonë në sferën e sigurt por të pafuqishme, ku gjithçka që ka rëndësi është përpjekja. / “Aeon” – Bota.al

You may also like