Në Pejë nderohet lavdia e Ahmetit Gjikollit, në 24-vjetorin e rënies heroike

by admin
Spread the love

Me homazhe dhe nderime te përmendorja e tij, në qendër të Pejës, është shënuar sot 24-vjetori i rënies heroike të Dëshmorit të Kombit Ahmet Gjikolli nga Peja, i rënë më 7 Maj 1999, në betejën e Çabratit në mbrojtje të Gjakovës.

Familjarë, shokë e bashkëluftëtarë të Ahmetit, kanë kujtuar dhe nderuar veprën heroike të tij, nëpër të gjitha betejat e rrafshit të dukagjinit e deri në betejën e tij të fundit në Çabrat, ku edhe ra heroikisht në përballje diversante me forcat okupatore serbe.

Një delegacion i degës së AAK-së, i prirë nga kryetari Ali Berisha, Fatmir Gashi, Arbër Tolaj dhe të tjerë, bashkë me familjen Gjikolli i bënë homazhe dhe nderime Ahmetit të skalitur në bronz në qendër të Pejës.

Me homazhe dhe nderime përfaqësuan edhe një delegacion i lartë nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’ e Pejës, të prirë nga kryetari i saj në këtë komunë, Taulant Kelmendi si dhe deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Nuk munguan as bashkëluftëtarë e bashkëluftëtare të Ahmetit, që nga Gjakova erdhën për të nderuar sakrificën sublime të luftëtarit, shkruan Radio njëshi, përcjell Klankosova.tv

Ahmet Gjikolli ka qenë ushtar i dalluar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që nga ditët e para të luftës, duke u rreshtuar dhe shërbyer në Zonën e III-të Operative të Dukagjinit, nën komandën e Ramush Haradinajt.

Ahmet Gjikolli vjen nga një familje punëtore me tradita të lashta qytetare pejane, e njohur për ndershmëri.

Në vitin 2022, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, ka ndarë dekoratë për tre familje pejane, bijtë e të cilave kanë rënë dëshmorë në luftën e fundit në Kosovë.

Medaljet presidenciale u ndanë për familjen e Ahmet Gjikollit, Shpetim Bojkut e Jusuf Kelmendit.

Nga viti 2015, Ahmet Gjikolli pushon në bronz në përmendoren e ngritur në qytetin e lindjes, te Sheshi “Skënderbeu”, bashkë me tre dëshmorët e tjerë, Shpëtim Bojku, Muharrem Kelmendi dhe Jusuf Kelmendi.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iO

You may also like