Në kërkim të grupeve dhe milionave, Tirana gati për arenën europiane

by admin
Spread the love

Tirana është skuadra e parë shqiptare që nis rrugëtimin europian këtë sezon. Faza e grupeve të një Kupe Evropiane është ëndrra e madhe dhe sfiduese e kampionëve të Shqipërisë, diçka që nuk ka ndodhur kurrë në të kaluarën por edhe kalimi i sa më shumë tureve do të përbënte sukses, për prestigjin por sigurisht edhe arkat e klubit.

Për pjesëmarrjen në Europë, bardheblutë koleksionojnë një shifër të rëndësishme të ardhurash. Në rastin më të keq të mundshëm, duke marrë në konsideratë eliminim në çdo tur, bardheblutë kanë të garantuara minimalisht 960 mijë euro.

Sipas skemës, bardheblutë nëse kualifikohen dhe shkojnë në turin e dytë të Championsit, shtojnë minimalisht në arkat e tyre edhe 600 mijë euro të tjera. Pas turit të dytë të Championsit, Tiranën e pret turi i tretë dhe në rast eliminimi, bardheblutë zbresin në fazën play off te Europa League. Atje diskutohet kualifikimi në grupet e Europa League ose minimalisht në Conference League.

Tirana, në rast eliminimi nga Dudelange, nuk do të ulet një shkallë më poshtë në Europa League por do të transferohet në turin e dytë të Conference League. Por nëse klubi shqiptar do të kalojë turin e parë e parë të Championsit dhe do të eliminohet në të dytin, atëherë shanset janë të mëdha për të prekur grupet e Conference League sepse do të katapultoheshin menjëherë në fazën play off të këtij turneu dhe rregullorja e re të jep të drejtën të luash vetëm me skuadra kampione të vendeve të ndryshme dhe jo vendet e pesta apo të gjashta të kampionateve kryesore si Serie A, Pemier League apo La Liga.

Kjo përkthehet në shanse akoma edhe më të mëdha për Tiranën që të mund të luaj për herë të parë në një fazë grupesh në Evropë. Nëse, bardheblutë e Orges Shehit do t’ia dalin me sukses në turin e parë të Championsit, do të gjejnë në turin e dytë fituesen e ndeshjes mes armenëve të Pjunik dhe rumunëve të CFR Cluj. /oversport.tv

You may also like