Ne kemi për detyrë t’ua lëmë gjeneratave të ardhshme Maqedoninë evropiane – Shqip

by admin
Spread the love

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski paralajmëron në një intervistë për Agjencinë Informative Mediatike se si shtet nuk duhet të gabojmë historik dhe të humbasim shansin e vetëm që Maqedonia e Veriut ta arrijë qëllimin tjetër strategjik pas dekadash, të bëhet një anëtar i BE-së.

Në intervistë, Kovaçevski u bën thirrje deputetëve dhe opozitës, në vend që të kërkojnë arsyetime, të mbështesin ndryshimin e Kushtetutës, i cili do të sigurojë një të ardhme evropiane për vendin dhe për gjeneratat e ardhshme. Kryeministri Kovaçevski thekson qëndrimin e BE-së se nuk do të ketë marrëveshje më të mirë, nuk do të ketë marrëveshje të re, nuk do të ketë kornizë tjetër negociuese.

Ne kemi për obligim që brezave të ardhshëm t’ua lëmë Maqedoninë evropiane, nuk duhet të kalkulojmë hapat e ardhshëm, duhet të merret vendim dhe vendi të vazhdojë në rrugën evropiane. Vetëm në atë mënyrë do ta ruajmë atë që kemi në aspektin historik, kulturor e gjuhësor, vetëm në atë mënyrë do të forcojmë pozitat tona ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe partnerëve dhe në të njëjtën kohë do të përmirësojmë gjendjen aktuale.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë arritje të mëdha, ata meritojnë standarde evropiane dhe një jetë më të mirë, ata meritojnë të jetojnë në një shtet anëtar të BE-së, alternativa jonë është BE-ja. Ky është thelbi.

Forca jonë është në bashkim dhe secili që mendon mirë për këtë vend duhet të jetë i gatshëm për vendime të përbashkëta shtetërore”, thotë kryeministri në një intervistë për Agjencinë Informative Mediatike (MIA-n).

Kryetari i Qeverisë thekson se nga ne varet vendimi për ndryshimet kushtetuese dhe me të vazhdimi i shtetit në rrugën evropiane. Përgjegjësia është para të gjithë aktorëve shoqërorë, para të gjitha partive serioze parlamentare, para të gjithë deputetëve, thotë Kovaçevski në intervistën për Agjencinë Informative Mediatike, MIA-n. Kryeministri thotë se tani varet nga të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë në vend nëse duam të vazhdojmë menjëherë në rrugën europiane dhe të integrohemi apo të izolohemi plotësisht dhe të jetojmë sërish për 10 apo 15 vjet të vetëm dhe të pafuqishëm. Duke e humbur këtë shans historik, mbështetjen e fuqishme të Unionit, SHBA-ve, partnerëve strategjikë të Maqedonisë së Veriut, si shtet do të humbasim edhe 10 apo 15 vite të tjera.

“Ky është një rast shumë specifik ku, për herë të parë, vetoja mund të vijë nga brenda. Dhe ne nuk duhet ta lejojmë këtë. Unë personalisht besoj Maqedonia e Veriut, deputetët nuk do ta humbin këtë mundësi historike. Pas 17 vitesh pritje, në korrik të vitit të kaluar më në fund hapëm negociatat duke gjetur një zgjidhje cilësore, mbi të gjitha dinjitoze dhe me përcaktime të mbrojtura nacionale dhe identitare. Një zgjidhje që respektonte të gjitha qëndrimet tona shtetërore dhe nacionale. Ne e kthyem vendin sërish në rrugën evropiane. Gjuha dhe identiteti maqedonas janë të ruajtura dhe të mbrojtura me kornizën negociuese. Duke u integruar në BE, ne e integrojmë gjuhën dhe identitetin maqedonas në mozaikun evropian, krah për krah me kombet e mëdha shtetformuese të Evropës. Ky është qëllimi ynë dhe ato ishin pozita thelbësore shtetërore për të cilat morëm mbështetje të fortë dhe arritëm të luftonim. Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë ne në vend – nuk do të ketë një marrëveshje më të mirë, nuk do të ketë një marrëveshje të re, nuk do të ketë një kornizë tjetër negociuese. Dhe kjo është e vetmja e vërtetë, të cilën nuk e them unë, nuk e thotë LSDM, nuk e thotë Qeveria, është qëndrim i Bashkimit Evropian”, thotë Kovaçevski për Agjencinë Informative Mediatike, MIA-n.

You may also like