Në ditën e Ilindenit liderët me porosi për unifikim – Shqip

by admin
Spread the love

PENDOROVSKI: TË FILLOJMË NEGOCIATAT ME BE-në OSE DO TË NA IKIN TË RINJTË

Krerët shtetëror kanë shfrytëzuar shënimin e Ditës së Ilindenit, për të ritheksuar nevojën e vazhdimit të procesit eurointegrues të vendit, i cili momentalisht ndodhet në një fazë sfiduese dhe kyçe.  Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, porositi nga Qendra Memoriale në Pelincë se nevojitet tejkalim i dallimeve dhe unifikim rreth fillimit urgjent të negociatave për anëtarësim në BE, sepse në të kundërtën sipas tij, vendi do të humb pjesën vitale të shoqërisë – të rinjtë.

“Duhet ta kemi të qartë se nuk ekziston alternativë e mirë për reformat evropiane. Pengesat e jashtme nuk duhet të jenë alibi për ngadalësimin e reformave. Përkundrazi, duhet ta mobilizojmë çdo segment të shoqërisë në çrrënjosjen e korrupsionit, nepotizmit dhe krimit”, tha Stevo Pendarovski.

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski theksoi se, nga një shtet i izoluar për një dekadë të tërë, vendi arriti të ripërtërijë dhe përforcojë mbështetjen ndërkombëtare, si asnjëherë deri më tani.

“Edhe sot Republika ka nevojë për një vendim të ri shtetformues të gjeneratës së sotme të të zgjedhurve të popullit, me çka shteti dhe qytetarët do të vazhdojnë në rrugën e përcaktuar të përparimit. Të unifikuar fituam betejën për anëtarësim në NATO, të unifikuar mund ta fitojmë edhe betejën e ardhshëm – anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Atë e bëmë me mësimet nga e kaluara dhe me sy nga e ardhmja, me hapa para dhe jo mbrapa”, tha Dimitar Kovaçevski.

Edhe lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski bëri thirrje për unifikim, megjithatë për unifikim në mbrojtjen e identitetit maqedonas. Ai akuzoi pushtetin se po shet identitetin nacional për interesa politike.

“Sot do të dëgjoni shumë deklarata nga përfaqësuesit e pushtetit, por derisa i thonë ato deklarata para mediave ta dini se nën tavolinë dakordojnë në mënyrë shtesë që të shesin substratin dhe identitetin maqedonas për kolltuqe dhe që të mund të grabisin dhe vjedhin edhe pak Maqedoninë”, tha Hristijan Mickoski.

Ndërkaq, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në urimin e tij me rastin e kësaj feste, tha se, tani është momenti të “reflektojmë mbi atë që kanë arritur bashkë qytetarët e dhe të mendojmë se si bashkë të konkretizojmë misionin e integrimit në Bashkimin Europian”, siç u shpreh ai./KlanMacedonia

You may also like