Ndryshimet kushtetuese, Mickoski: BD-ja nuk është në pozitën që të vendos kushte

by admin
Spread the love

Partitë e bllokut politik maqedonas flasin por nuk merren vesh. Dita e katërt me radhë që kryeministri thotë se janë plotësuar kushtet që VMRO-DPMNE-ja t’i mbështes ndryshimet kushtetuese. Dimitar Kovaçevski vlerëson se pas deklaratës kur Hristijan Mickoski pranoi të përfshihet në proces, tërheqja e tij mbrapa mund ta dëshpërojë faktorin ndërkombëtar dhe qytetarët. Kryeministri thotë se një Qeveri pa shqiptarët mund t’i jep politikës një dinamikë tjetër në vend.

“VMRO-DPMNE-ja kushtëzoi që BDI të mos merr pjesë në atë Qeveri. Unë këtë e vlerësova si kërkesë e cila mund të nxisë një dinamikë të caktuar politike. Këtë kërkesë të tyre BDI u shpreh e gatshme menjëherë të pranojë. Konfirmimi për një dinamikë të caktuar politike erdhi në momentin kur Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa deklaruan se nuk duan të jenë pjesë e një Qeverie të tillë. Kjo ishte dëshira e VMRO-së, ndërsa ne si parti e cila kemi sjell vendime të hapura dhe shtetërore i japim shansin VMRO-DPMNE-së për herë të parë të merr pjesë në vendimin i cili mundëson realizimin e qëllimit strategjik të vendit tonë”,tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Lideri i opozitës, Hristijan Mickoski derisa flet për njërin nga kushtet e plotësuara, atë që BDI të jetë në opozitë vazhdon të shtojë kushte të reja, si garancitë nga Bullgaria dhe hyrje në fuqi të ndryshimeve kushtetuese pas anëtarësimit të Maqedonisë së BE. Ndonëse LSDM-ja i bën thirrje që VMRO-ja të jetë pjesë e Qeverisë, opozita sërish sot kërkoi nga kryeministri të tregojë për njërin nga opsionet: Qeveri pa BDI-në apo zgjedhje në vjeshtë.

“BDI nuk është në pozitën nga e cila mund të vendos kushte. Derisa LSDM-ja me të vërtetë pranon njërin nga kushtet si: mbylljen e procesit tani me fuqi juridike kur Maqedonia t’i mbyll negociatat dhe të hyn në BE. Në këtë mënyrë e mbrojmë Kushtetutën dhe identitetin, nuk do të ketë kushte të reja nga Bullgaria. BDI këtë e interpreton ndryshe dhe ky është problemi i tyre. Sa më shpejtë që shkojnë në opozitë, aq më shpejtë prosperon Maqedonia. Opsioni i dytë është zgjedhjet në vjeshtë dhe mbështetje e opozitës në mbrojtjen e identitetit shumë shekullor”, theksoi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMN-së.

Idenë e Qeverisë së zgjeruar ose Qeverisë kalimtare LSDM-VMRO, Kovaçevski e ka prezantuar edhe para partnerëve të koalicionit parazgjedhor. Sipas tij, disa nga partitë e vogla janë pajtuar që 50 për qind e resorëve t’i jepen partisë së Mickoskit. Ndërkohë Qeveria edhe pse ka pranuar propozim-nismën për ndryshimet kushtetuese, akoma nuk ka shqyrtuar dhe dorëzuar në Kuvend draft-amendamentet mbi preambulën dhe nenin 49 të Kushtetutës. Javën e kaluar organi ekzekutiv u arsyetua se po pret epilogun nga takimi i liderëve.

You may also like