MV – Ahmeti: Bujar Osmani do të jetë kandidati shqiptar për president

by admin
Spread the love

SHKUP, 22 shkurt /ATSH/ – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti deklaroi  se Bujar Osmani do të jetë kandidati i tyre për president në këto zgjedhje, sipas aktuale.mk.

Nga selia e partisë Ahmeti ka kërkuar që të gjithë të qëndrojmë së bashku në kërkesën për ndryshimin e kushtetutës dhe zgjedhjen e presidentit dhe zëvendëspresidentit të shtetit në parlament si dhe përfshirjen e komunitetit bullgar dhe të të tjerëve në Kushtetutë.

”Para jush, po bëj zotimin se ne nuk do të jemi pjesë e asnjë qeverie e cila nuk e ndryshon kushtetutën dhe do të dalim në opozitë për t’i luftuar dhe mposhtur këto kërcënime ekzistenciale për vendin tonë”, shtoi ai.

”Për këtë, kërkojmë besimin tuaj sepse këto punë duan forcë, parti të fuqishme dhe të vendosur që do ti bëjë ballë punëve të mëdha. Ne kemi dëshmuar në të kaluarën se kemi mbajtur premtimet e thëna. Bujari ka dëshmuar vetën në skenën vendore dhe ndërkombëtare dhe ka qënë pjesëmarrës në betejën kundër Rusisë, iniciator për ndryshimin e Kushtetutës, anëtarësimin në NATO dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”, deklaroi Ahmeti.

Ndërkohë, sipas agjencisë maqedonase të lajmeve, MIA, kryesia e LSDM-së ka marrë vendim që ta mbështesë për mandatin e dytë presidencial Stevo Pendarovskin.

Burime partiake informojnë se pasdite në mbledhjen e kryesisë së LSDM-së është vendosur që Stevo Pendarovski të mbështetet për kandidat për president të shtetit.

Në ditët në vijim tashmë janë planifikuar takime me partnerët e koalicionit,  ndërsa më 3 mars do të jetë edhe konventa promovuese zyrtare.

“Pendarovski është kandidat fitues, me kapacitetin më të madh të koalicionit, i cili së bashku me LSDM-në dhe partitë nga blloku progresiv, demokratik, fuqimisht e ndan vizionin për të ardhmen evropiane të shtetit”, theksojnë burime nga LSDM-ja.

Kandidatja e vetme e paraqitur në konkursin publik të VMRO-DPMNE-së është profesoresha dhe deputetja Gordana Siljanovska Davkova./ /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like