MUZIKË – Vdes në moshën 82-vjeçare mjeshtri i pianos Maurizio Pollini

by admin
Spread the love

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/- Pianisti Maurizio Pollini vdiq në moshën 82-vjeçare. Një nga muzikantët e mëdhenj të kohës sonë dhe një referencë themelore në jetën artistike të Teatrit prej mbi 50 vjetësh, njoftoi sot ‘Teatro alla Scala’ në Milano, sipas “La Repubblica”.

Vitet e fundit, problemet e tij shëndetësore ishin shumëfishuar. Më 24 gusht 2022, recitali në Salzburg për nder të 80-vjetorit të Maestros u anulua në momentin e fundit për shkak të problemeve akute kardiovaskulare.

Gjithashtu, një koncert tjetër u anulua në fillim të tetorit të po atij viti me Orkestrën Simfonike të Çikagos me të cilën Pollini duhej të luante nën drejtimin e Riccardo Muti.

Më pas, në nëntor të po atij viti, për shkak të problemeve shëndetësore, Maestros iu desh të hiqte dorë nga një koncert bamirësie në Konservatorin Verdi në Torino në favor të Kryqit të Kuq dhe për viktimat e përmbytjeve në rajonin Marche.

Pas një përmirësimi shëndetësor, Maestro Pollini performoi së bashku me Orkestrën Maggio Fiorentino, të drejtuar nga Zubin Metha.

Pasi u diplomua në Konservatorin e Milanos, ku studioi edhe kompozicionin, Pollini fitoi Konkursin Chopin në Varshavë në vitin 1960. Me atë rast Arthur Rubinstein, anëtar i jurisë, pasi e dëgjoi tha, duke iu drejtuar anëtarëve të tjerë:“Ky i ri tashmë luan teknikisht më mirë se të gjithë ne!”.

Më pas, kritiku i muzikës dhe eksperti i pianistit Piero Rattalino, pasi ishte dëshmitar i performancës së “4 Studimeve nga Chopin” të njohura për vështirësinë dhe kompleksitetin e tyre tha: “Ky i ri ose do të bëhet pianisti më i madh në botë, ose do të përfundojë në një spital psikiatrik!”.

Duke filluar nga mesi i viteve 1960, Pollini nisi një karrierë të rëndësishme koncertesh, duke performuar me orkestrat kryesore evropiane, amerikane dhe aziatike.

Ai bëri debutimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1968, ndërsa në 1972 nënshkroi një kontratë ekskluzive me “Deutsche Grammophon” dhe në 1974 bëri turneun e tij të parë në Japoni.

Pollini u martua me pianisten Marilisa Marzotto dhe kane një djalë, Danielen, pianist dhe kompozitor.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like