Musli Halimi përfundon dëshminë e tij në gjykimin ndaj Salih Mustafës

by admin
Spread the love

Dëshmitari i mbrojtjes së Salih Mustafës në Hagë, Musli Halimi, ka përfunduar dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës ku ka thënë se gjatë qëndrimit në Zllashë nuk ka pasur kontakt me ndonjë anëtarë të njësisë BIA.

Halimi ka deklaruar se në fshatin Zllashë kishte qëndruar nga janari deri në prill të vitit 1999 dhe se aty ishte në krye të qendrës stërvitore. Ai ka thënë se është marrë vetëm me trajnimin e kadetëve duke shtuar që nuk ka pasur kontakt me ushtarë të tjerë.

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij para trupit gjykues në Hagë, dëshmitari i 11-të i mbrojtjes ka thënë se hyrja në qendrën stërvitore ka qenë e kufizuar.

“Jo vetëm BIA por me asnjë person apo ushtar, përpos kadetëve, nuk kam pasur kontakte në qendrën stërvitore. As me BIA-në por as me ndonjë ushtar tjetër përpos kadetëve nuk kam pasur kontakte në qendrën stërvitore, vetëm kadetët, instruktorët, qasje në qendrën stërvitore nuk ka pasur dikush tjetër, kjo ka qenë edhe e ndaluar nuk ka mundur kushdo të vijë aty të manipulojë apo bashkëpunojë me kadetë, kjo ka qenë e ndaluar, trajnimi është kryer me kadetë, instruktorët janë marrë me kadetë dhe kjo ka qenë e tëra. Edhe me pas dashur nuk u kish lejuar, nuk ka pasur të drejtë dikush të vijë në qendrën stërvitore”.

Halimi, i cili ka qëndruar rreth tre muaj në fshatin Zllashë në vitin 1999, ka thënë se detyra e tij ka qenë t’i trajnojë kadetët dhe se lista e tyre u dërgohej nga Brigada 153.

“Kadetët që kanë ardhur në qendrën stërvitore, unë nuk jam marrë me biografinë e tyre apo ardhjen e tyre, kjo është parapërgatitë dhe lista ka ardhur e saktë, kështu që nuk ka qenë detyrë e imja të merrem me të dhënat apo biografinë e çdo njërit kush është çka është, por detyrë e imja ka qenë me i trajnu dhe me iu përmbajt listës që ka ardhur nga Brigada 153”, deklaroi ai, shkruan KP.

Derisa është përgjigjur në pyetjet e prokurorisë, Halimi deklaroi se për arrestimin e Salih Mustafës nga Specialja është informuar përmes mediave.

Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

You may also like