Mungesa e dëborës pengesë për realizimin e garave – Shqip

by admin
Spread the love

Në mars rikthehet gara ndërkombëtare “Kupa e Sharrit”

Garat ndërkombëtarë të skijimit janë duke u realizuar sipas orarit të caktuar nga Federata Ndërkombëtare e Skijimit (FIS), ndërsa garat vendore do të zhvillohen atëherë kur të krijohen kushte optimale dhe kur të ketë sasi të mjaftueshme të dëborës.

“Për momentin vetëm seniorët kanë marrë pjesë nëpër gara të FIS-it nëpër Evropë, në kategorinë e djemve diku 5 apo 6 gara, dhe në kategorinë e femrave po ashtu 5 apo 6 gara, që për fillim sezoni ka qenë mirë, por jo edhe aq sa kemi pritur, me qenë se mungesë dëbore ka edhe nëpër Evropë, dhe kësisoj garash normal kërkojnë kushte dëbore se nuk janë të rangut të World Cup apo Europa Cup”, deklaroi Dardan Dehari, nënkryetar i Federatës së Skijimit

Sa i përket garave që do të zhvillohen në Qendra dimërore në vendin tonë, varësisht nga kushtet, priten gara në nivel republikan dhe  ajo që është më rëndësishmja është organizimi pas plot 10-të viteve të garës ndërkombëtare “Kupa e Sharrit”.

 “Këtë vit me kërkesë të kryetarit të republikës sonë dhe me interes të Federatës së Skijimit, kemi shpreh gatishmërinë që të riorganizojmë Kupën e Sharrit, sepse ky vit 2023 numëron 70 vite nga organizimi i parë i Kupën së Sharrit, dhe e ndjejmë si obligim ta riorganizojmë dhe ta rikthejmë Kupën e Sharrit aty ku e ka vendin”, thotë Dehari.

Në edicionin e radhës që mbahet nga  data 9 deri 11 mars nën patronazhin e presidentit të vendit, Federata e skijimit ka caktuar Dardan Deharin për drejtor të garës “Kupa e Sharrit 2023”./KlanMacedonia

You may also like