Mposhte armikun, por lexo poetët e tij – Shqip

by admin
Spread the love

Nga Alexander Etkind

Lufta e Putinit në Ukrainë, është një pushtim i tmerrshëm imperialist. Ajo ka e ndryshuar tablonë e madhe të historisë ruse, ukrainase dhe evropiane, në mënyra që do të kërkojnë dekada për t’u kuptuar.

Fetishizmi

Për shumicën atyre që e kanë studiuar këtë vend, Rusia është një perandori agresive. Pasi i mbijetoi bashkëmoshatarëve të saj, që u ngritën dhe u shembën gjatë dy luftërave botërore, Rusia herë i ka shfaqur dhe herë të tjera i ka maskuar synimet e saj imperialiste. Por këto synime i kanë mbijetuar të gjitha revolucioneve dhe reformave.

Tani Rusia tani po përpiqet të shkaktojë një luftë të re botërore, dhe sa më larg të shkojë lufta, aq më keq do të jetë kolapsi i saj. Lufta e saj kundër Ukrainës është e pakuptimtë. Ajo nuk mund të sjellë asnjë rezultat pozitiv politik apo ekonomik për Rusinë. E vetmja kornizë racionale për këtë luftë, është imperializmi klasik rus, i përzier me një revanshizëm veçanërisht post-sovjetik.

Por ka edhe një element të tretë:një lloj fetishizmi. Humbjet janë të mëdha dhe të parashikueshme, por ato nuk kanë rëndësi. I rëndësishëm është fetishi, territori ukrainas, vlera e vetme e të cilit vjen nga ideja, se dikur ka qenë “i yni” dhe ai duhet rifituar.

Supozohet se kjo do të sjellë lavdi, ekstazë apo ndonjë formë tjetër kënaqësie për presidentin rus, elitat dhe popullin e tij. Askush nuk e kupton apo ndan dëshirën e një fetishisti. Ndërsa imperializmi është një ideologji e kuptueshme (edhe pse e denoncuar), dhe revanshizmi është i rrënjosur në histori (edhe pse zakonisht ka prodhuar katastrofa), ju nuk mund ta kuptoni dot fetishizmin.

Krimea është shndërruar në një obsesion për Putinin, dhe tani edhe Donbasi. Por të gjithë të tjerët, edhe bashkatdhetarët e fetishistit, kanë preferenca të ndryshme. Pse nuk e rrëzojnë atë? Do ta bëjnë, por do të duhet kohë. Tek katastrofat kombëtare të këtyre përmasave, ekziston gjithnjë kjo bërthamë irracionale dhe e pakuptueshme.

Historianët gjermanë të Holokaustit, e quajnë atë një “çarje të civilizimit”. Është e vërtetë, shumë gjermanë të shekullit XIX 19-të ishin antisemitë, dhe shumë rusë të shekullit XX-të ishin imperialistë. Por do ta gënjenit veten nëse do ta kuptoni Holokaustin, apo pushtimin aktual rus në Ukrainë, vetëm në këto terma.

Ju duhet ta analizoni imperializmin dhe revanshizmin, dy burime të kuptueshme të të dyja katastrofave; por mos i cilësoni ato si e gjithë tabloja. Fetishisti është i lumtur t’ju mashtrojë në këtë mënyrë. Perandori është një fetishist, por çfarë u intereson kjo poetëve dhe skulptorëve të tij?

Sigurisht, shumë prej tyre i shkruajnë poezi apo i ngrenë monumente fetishit. Dhe kjo nuk duhet të jetë befasi, pasi fetishisti i paguan mirë. Është më e vështirë të jesh studiues nën fetishizëm, por edhe ata po punojnë mirë. Ngaqë pjesa fetishiste është e pakuptueshme, studiuesit shkruajnë me miratim për pjesët imperialiste dhe revanshiste të narrativës.

Sërish disa nga këta studiues apo shkrimtarë janë imperialistë, por shumë pak janë fetishistë. Për arsye të ndryshme ata shkruajnë në mënyrë kritike. Kjo e bën një kulturë imperialiste një mozaik shumë kompleks që po ndryshon me shpejtësi. Është e lehtë të provosh se Pushkin ishte një imperialist, apo që Vagner ishte një antisemit.

Por kjo nuk shpjegon artin e tyre, as këtë luftë dhe as Holokaustin para tij. Në dallim nga komanda ushtarake, kultura kombëtare është një pluralitet zërash me të gjitha kontradiktat e tyre. Edhe i njëjti zë, p.sh ai i Pushkinit, që vazhdimisht kundërshtonte vetveten. Për këto kontradikta janë shkruar dhjetëra libra dhe qindra disertacione. Por të gjitha janë të parëndësishme për të kuptuar luftën aktuale. Mjerisht, ky është pikërisht argumenti im.

Kultura perandorake

Duke u përpjekur të shpjegojnë të pashpjegueshmen, kritikët po shkruajnë tani mbi kulturën perandorake ruse si rrënjën e luftës aktuale. A nuk ndanë dhe formësuan poetët rusë botëkuptimin kolonialist, agresiv dhe ushtarak? Dhe a mund të çojë leximi i këtyre vargjeve gjatë rinisë së dikujt, në luftën e gjithanshme që po shohim sot në Ukrainë?

I përgjigjem “po” të parës, dhe “jo” të dytës. Poetë romantikë si Pushkin dhe Lermontov shkruan vepra klasike imperialiste, që i thurnin lavde trupave ruse. Në fakt, këto janë pjesët më të njohura të poezisë ruse si “Kalorësi i bronztë” ose “Poltava” i Pushkinit, dhe “Borodino” i Lermontovit.

Për më tepër, këta poetë ishin zyrtarë perandorakë:Pushkin shërbeu si një nëpunës i rangut të ulët në administratat perandorake ruse në Odesa dhe Kishinev. Ndërkaq Lermontov shërbeu si oficer i vogël në një luftë brutale në Kaukaz, ku komandoi një regjiment kozak dhe derdhi gjakun e çeçenëve.

Por duhet theksuar gjithashtu se qeveria perandorake ruse i internoi të dy burrat në Siberi, pasi ata morën pjesë në protestat e zhvilluara në kryeqytetin e asaj kohe Shën Petersburg. Të dy shkruan vargje dhe proza anti-perandorake, pasionante dhe ndonjëherë të dhunshme, të cilat e kritikonin ashpër monarkinë ruse dhe arritjet e saj ushtarake.

Për shembull, Pushkin shkroi në vitin 1817 se ai ëndërronte të mbyste carin e fundit edhe duke sakrifikuar deri edhe priftin e fundit ortodoks. Lermontov shkroi në 1841 se Rusia ishte një vend i padronëve dhe skllevërve, por ai dëshironte t’u fshihej khanëve, spiunëve dhe xhandarëve në Shën Petersburgune Kaukazit ndërluftues.

Por tekstet e tyre kishin shumë më tepër se sa kaq, ndaj ato kanë nevojë për një lexim të ri e të kujdesshëm. Tek “I burgosuri i Kaukazit”, një poemë e gjatë romantike, Pushkin përshkruan një oficer rus të kapur nga çerkezët, një fis që luftoi kundër kolonizimit rus.

Ata e mbanin oficerin të izoluar në një gropë, por një grua e re, i preu zinxhirët dhe e la të ikë. Kur arritën në lumin kufitar, të dy puthen. Ai kalon me not për të arritur trupat e tij; ajo zhytet në lumë për të vrarë veten. Pushkin u sigurua që ne lexuesit ta kuptojmë që oficeri rus e pa se si ajo u mbyt dhe nuk ndihmoi.

Ajo e shpëtoi, ndërsa ai nuk pranoi ta shpëtonte. Poema lavdëron qartazi jo burrin perandorak, por gruan e kolonizuar. Ose rilexoni poezinë e Lermontovit “Mtsyri”. Është monologu i një të riu nga një fis Kaukazian që u kap nga rusët; të cilin e pagëzuan dhe e bënë murg.

Por ai po vdes nga malli për vendlindjen, dhe e përshkruan me detaje dashurinë e tij për atdheun. Ndërsa në shumë pjesë të letërsisë në kohën e Rusisë perandorake “ata nga shtresa e ulët e shoqërisë nuk mund të flasin”, siç e deklaronte G.C.Spivak, Lermontov i jep personazhit të tij kaukazian me një zë të fuqishëm.

Ose lexoni “Kaukaziani” po të Lermontovit, një ese satirike e shkruar në një prozë të thjeshtë që tregon historinë e kolonizatorit. Një oficer tipik rus që lufton në Kaukaz kthehet në një njohës të të gjitha zakoneve kaukaziane. Pas çdo viti që kalon në shërbim, oficeri bëhet gjithnjë e më i “orientalizuar”.

Një përfaqësues kryesor i sundimit imperialist, oficeri rus në Kaukaz shndërrohet në një antropolog laik, që ndihet i tunduar të konvertohet në një vendas. Lermontov tallet me kolonizatorët rusë, për shkak të aftësisë së tyre të çuditshme për të adhuruar vetë kulturën që ata po shfarosnin:një dëshirë çoroditëse, jo aq larg asaj që unë e quaj fetishizëm.

Nuk është poezia ruse ajo që i dha formë diktatorit, zyrtarëve dhe ushtarëve të tij. Unë vë bast se ata kanë parë të njëjtat filma të Hollivudit si edhe ju. Por është lakmia, arroganca dhe frika e tyre. Tragjikisht, ata që kryejnë gjenocide, nuk janë shumë të ndryshëm nga ata që vdesin prej tij.

Janë aktet e torturave, vrasjeve si dhe hakmarrja e afërt – rrethi vicioz i dhunës – ato që i kthejnë popujt e ngjashëm në armiq për vdekje. Izolojeni shtetin imperialist dhe gjenocidal dhe dekonstruktoni kulturën e tij. Por mos i anashkaloni detajet:në studimet akademike, ato janë po aq të rëndësishme sa edhe në fushën e betejës.

Shembujt dhe citimet janë armët tona. Që të përmbushin qëllimin e tyre, ato duhet të jenë të sakta. Por këtu përfundon analogjia. Ne nuk jemi ushtarë, por studiues dhe kritikë. Është thelbësore që ne, në dallim nga ushtarët në front, të vazhdojmë të flasim dhe të debatojmë, madje edhe gjatë luftës.

Shënim: Alexander Etkind, historian dhe shkencëtar i kulturës. Ai është profesor i historisë dhe kryetar i marrëdhënieve Rusi-Evropë në Institutin Universitar Evropian në Firence. / “The Moscow Times” – Bota.al

You may also like