MPJ bullgare: Përdhosja e himnit të Bullgarisë në Shkup është në kundërshtim me parimet evropiane

by admin
Spread the love




Ministria bullgare e Punëve të Jashtme sot njoftoi se e “dënon përdhosjen publike të himnit bullgar në ndeshjen e futbollit mes përfaqësueseve të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut në Shkup”.

“Gjuha e urrejtjes kundër Bullgarisë dhe bullgarëve nga tribunat e stadiumit kombëtar në Shkup përfaqëson mohim të qartë të vlerave themelore të shoqërive bashkëkohore demokratike dhe qartë është në kundërshtim me parimet dhe normat evropiane të sjelljes”, bën të ditur MPJ bullgare.

Në kumtesë shtohet se është “vërejtur reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me të cilën dënohet gjuha e urrejtjes gjatë ndeshjes së futbollit”, por njëkohësisht u bëhet thirrje autoriteteve në Shkup të ndërmarrin hapa vendimmarrës për “çrrënjosjen e agresionit antibullgar në hapësirën publike në shtet”.

“Përkujtojmë se me Marrëveshjen nga viti 2017 dhe protokollet dypalëshe të nënshkruara në vitin 2019 dhe 2022, të dyja vendet në mënyrë kategorike angazhohen për ndërmarrjen e masave efektive kundër gjuhës së urrejtjes. Ruajtja e progresit të arritur gjatë muajve të fundit në dialogun politik kërkon që ngjarjet e këtilla përgjithmonë të bëhen pjesë e së kaluarës.  Vetëm në atë frymë të dyja vendet do të mund të hapin faqe të re në marrëdhëniet, të bazuara në respektim të ndërsjellë dhe fqinjësi të mirë”, shtohet në kumtesën e MPJ-së bullgare.

 


You may also like