Mourinho ‘show’ para Leverkusenit: PSG nuk më ka gjetur, ja e vërteta me ekipin e të rinjve

by admin
Spread the love

Jose Mourinho ka dalë në konferencën për shtyp në prag të gjysmëfinales së parë ndaj Bayer Leverkusen, teksa edhe këtë herë ka dhuruar spektakël me deklaratat e tij.

Tekniku portugez e nisi konferencën me një sqarim, pasi hodhi poshtë lajmet se ka hyrë në dhomat e zhveshjes të skuadrës së të rinjve në pushim të ndeshjes dhe ka mbajtur fjalim, duke sjellë edhe ndryshim të fatit të sfidës.

“Doja ta nisja me një sqarim, pasi kam shumë respekt për trajnerin e të rinjve dhe punën që ai po bën. Unë zbrita në dhomat e zhveshjes në pushim të ndeshjes së të rinjve, por nuk fola asnjë fjalë. Aty ishte ndihmësi, që mbajti fjalim dhe unë e ndoqa bashkë me lojtarët. Merita e kthimit të ndeshjes, është e gjitha e futbollistëve dhe stafit teknik”, tha portugezi.

Së fundi mediat franceze kanë aluduar se klubi i Paris Saint Germain po kërkon të afrojë pikërisht Jose Mourinhon për stolin, duke nisur nga viti i ardhshëm, por ehe këtu tekniku i Romës nuk e kursen batutën.

“Nëse më kanë kërkuar, me siguri që nuk më kanë gjetur. Ua them këtë, sepse askush nuk ka folur me mua për një mundësi të tillë”, tha Mourinho.

Duke folur për sfidën me Leverkusen, portugezi vlerësoi kundërshtarin dhe la të hapur mundësinë që Dybala e Wijnaldum të luajnë nga minuta e parë.

“Bayer Leverkusen është një nga skuadrat më të forta në Europë, në aspektin e kundërsulmit. Ata mbrohen shumë mirë, presin që të humbësh topin dhe pastaj bëhen të pandalshëm, pasi kanë lojtarë shumë të shpejtë. Dybala dhe Wijnaldum mund të luajnë edhe nga fillimi, por ndjesitë e mia për momentin janë që jo, pasi nuk kanë formën më të mirë”, tha tekniku portugez i Romës.


Top Channel

You may also like