MOSKË – Rusia rrit trupat përgjatë kufirit me Finlandën

by admin
Spread the love

MOSKË, 13 mars /ATSH-DPA/- Presidenti rus, Vladimir Putin ka njoftuar vendosjen e trupave shtesë dhe sistemeve të armëve në kufirin veriperëndimor të vendit me Finlandën, anëtaren e re të NATO-s, ndërsa paralajmëroi se Moska është teknikisht gati për një luftë bërthamore.

Në një intervistë, Putini tha se anëtarësimi në NATO ishte një hap absolutisht i pakuptimtë që nuk korrespondonte me interesat kombëtare të Finlandës.

“Para vendimit të Helsinkit, marrëdhëniet ruso-finlandeze ishin ideale”, tha Putin.

Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në aleancën ushtarake perëndimore në vazhdën e pushtimit të gjithanshëm rus të Ukrainës rreth dy vjet më parë. Të dy vendet janë tani anëtare.

Putini kritikoi vendimin e Helsinkit duke e quajtur atë si politike dhe se kishte kontribuar në përkeqësimin e marrëdhënieve dypalëshe.

“Anëtarësimi në NATO nuk kontribuoi në përmirësimin e sigurisë. Ne nuk kishim trupa përgjatë kufirit të përbashkët, por tani do të ketë. Nuk kishte sisteme armësh, dhe tani do të ketë”, tha ai.

Putini akuzoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës për planifikimin e rifillimit të testeve të armëve bërthamore dhe paralajmëroi se do të merrte kundërmasa.

“Në një rast të tillë, Rusia do të merrte gjithashtu në konsideratë nisjen e testeve të reja të armëve bërthamore”, tha presidenti rus. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like