Mjekët e ambulancës, fajtorë për vdekjen e të riut me ngjyrë Elijah McClain në SHBA

by admin
Spread the love

McClain humbi ndjenjat pas kapjes së policëve nga qafa, para se mjekët e ambulancës që erdhën i injektuan me forcë një qetësues që e vrau.

Dy mjekë ambulance në shtetin perëndimor amerikan të Colorado janë shpallur sot fajtorë për vrasje nga neglizhenca  në ngjarjen e rëndë të 2019, ku i riu me ngjyrë Elijah McClain vdiq pas arrestimit nga policia.

Juria dha verdiktin për 49 vjeçarin Jeremy Cooper, dhe 51 vjeçarin Peter Cichuniec, teksa i dyti injektoi dhe dozën e qetësuesit të fortë ketamine.

Vdekja e 23-vjeçarit McClain ishte nga të parat mes hetimeve kriminale ndaj mjekëve të ambulancave që del në gjyq, duke vendosur një standard të ri për çështje të tilla.

Ajo është gjithashtu çeshtja e fundit gjyqësore mes atyre të ngritura ndaj tre policëve që mbanin me forcë McClain. Një prej tyre gjithashtu u shpall fajtor për vrasje nga pakujdesia.

Nëna e viktimes, Sheneen Mclain, qante dje para gjykatës ndërsa kushërira MiDian Holmes, foli me gazetarët.

“Drejtësia mund të vijë kur të jepet dënimi, ne kërkojmë vetëm drejtësi,” tha Holmes.

Prokurori Phil Weiser tha se përgjegjësia nuk vjen vetëm me dënimin por dhe me punën që duhet bërë për të parandaluar vdekjet e njerzve të pafajshëm në duart e policëve apo mjekëve të ambulancave.

“Elijah nuk kishte bërë asgjë të gabuar, jeta e tij nuk ishte e pavlerë, ai duhet të ishte këtu me ne sot, por ata e vranë”, tha Weiser.

Prokurorët thanë se mjekët shkelën protokollin e tyre duke mos ekzaminuar të riun por duke injektuar menjëherë dozën maksimale të ketaminës.

“Të akuzuarit as nuk u përpoqën edhe pse Elijah Mclain lutej ‘Ju lutem më ndihmoni’, ata e lanë aty, pasi i dhanë mbidozën e ketaminës”.

Policia u konfrontua me Mclain natën e 24 gushtit 2019, pasi dikush raportoi për një njeri që sillej çuditshëm.

Autopsia e parë ndaj Mclain në 2019 thoshte se shkaku i vdekjes është “i papërcaktuar”. Një autopsi e dytë në 2021 konkludoi se Mclain vdiq prej “komplikacioneve të ketaminës dhe ndalimit me forcë në fyt”.