Miqësia e Turqisë me botën arabe, një vizion realist i së ardhmes – Shqip

by admin
Spread the love

Nga Mustafa Göksu*

Turqia shënon 98-vjetorin e themelimit të Republikës, një ngjarje e veçantë për popullin turk, i cili luftoi për pavarësinë dhe bashkimin e territoreve të tij brenda shtetit modern të themeluar nga Gazi Mustafa Kemal Ataturku.

Në këtë ditë, më 29 tetor 1923, Mustafa Kemal Ataturku shpalli themelimin e Republikës së Turqisë.

Ngjarja bëhet gjithnjë e më e rëndësishme ndërsa i afrohemi 100-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë, në dritën e njerëzve dhe strukturave zyrtare që përgatiten për një hap progresiv drejt së ardhmes, pas një shekulli luftë popullore në të cilën Turqia përjetoi sfida të mëdha. Integriteti dhe ekzistenca e saj ishin në shënjestër të grushteve të dështuara të shtetit, ku rasti i fundit ndodhi në korrik 2016. Mirëpo, vigjilenca e mbajti popullin në gatishmëri. Prandaj ai mbeti rojtar besnik i gjysmëhënës duke përqafuar yllin e kombit në një marshim të spërkatur me gjak dëshmorësh. Kjo simbolizohet nga flamuri i vendit dhe himni kombëtar “Marshi i Pavarësisë”, i cili flet për të rënët.

Kur e kujtojmë këtë rast të dashur për zemrën tonë, nuk kënaqemi të shikojmë me admirim të kaluarën dhe bëmat e saj. Turqia është e vetëdijshme për pozicionin e saj rajonal. Ajo merret me realitetin politik dhe i kupton rrënjët e problemit në një rajon që nuk është i huaj për të.

Në këtë fazë vendimtare të historisë së saj, Turqia përpiqet për marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët e saj dhe u bën thirrje atyre të planifikojnë një rrugë drejt një të ardhmeje gjithëpërfshirëse që arrin prosperitet dhe drejtësi për të gjithë. Ka indikacione të dukshme për zbutjen e tensioneve në Lindjen e Mesme, që mund të përshkruhet si një qetësim urgjent i zjarreve politike dhe diplomatike. Turqia ka paralajmëruar vazhdimisht për seriozitetin e këtyre pasojave, të cilat nuk do të kursejnë askënd.

Kufijtë e saj tokësorë më të gjatë Turqia i ka me fqinjët e vet arabë në Irak dhe Siri. E nëse këto janë fakte gjeografike, faktet historike na tregojnë gjithashtu se lidhjet kulturore dhe fetare që na bashkojnë me popujt arabë nuk mund të anashkalohen apo të shpërfillen. Kur pajtohemi me këta faktorë të përbashkët, ne mund të punojmë së bashku për të zgjidhur të gjitha problemet pa pasur nevojë për ndërhyrje të jashtme nga askush.

Partneriteti rajonal

Tërheqja e papritur dhe e çorganizuar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Afganistani çoi në konfuzion në skenën politike dhe shkaktoi shqetësime të mëdha sigurie. Megjithatë, kjo ngjarje, e cila la gjurmë në të gjithë rajonin, nuk kaloi pa mësime të rëndësishme dhe të pashmangshme. Gjëja më e rëndësishme është se, stabiliteti i qëndrueshëm nuk mund të vendoset duke sjellë ushtarë që udhëtojnë nga vende milje larg. Rënia e ushtrisë afgane, e cila kishte mbështetje financiare dhe teknike, tregoi se imponimi i një sistemi qeverisjeje përmes kujdestarisë kulturore dhe mbrojtjes së huaj nuk çon në shtetndërtim as në arritjen e zhvillimit të dëshiruar.

Nga ky këndvështrim, Turqia gjithmonë ka kërkuar të krijojë partneritete rajonale të bazuara në njohjen reciproke të të drejtave. Arritja e drejtësisë për të gjithë na sjell në ekuacionin e sigurisë dhe një prosperiteti të qëndrueshëm. Prandaj Turqia ka qenë gjithmonë me fqinjët dhe aleatët e saj. Ky është thelbi i bashkëpunimit me Azerbajxhanin për rivendosjen e kontrollit mbi territoret e tij si një e drejtë e garantuar nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare. E njëjta logjikë ndiqet kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me Libinë dhe ish-qeverinë e saj legjitime dhe qeverinë aktuale të përkohshme. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të diskredituar ndërhyrjet në rajon, Turqia ka dëshmuar se dëshiron harmoninë mes të gjithë komponentëve të shoqërisë libiane dhe hapjen e saj ndaj të gjithëve.

Diplomaci aktive

Një institucion i respektuar diplomatik turk po punon për të rivendosur marrëdhëniet e ndërprera zyrtare midis vendeve në rajon në përgjigje të një dëshire të përbashkët. Duke përshëndetur këto përpjekje, ajo ndjek një politikë diplomatike dinamike që synon të zgjidhë problemet. E shtyrë nga një dëshirë e vërtetë për të dhënë dorën e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor midis kombeve, si një shtytës për përmirësimin e marrëdhënieve politike, ajo nuk vë në pikëpyetje të drejtën e popujve për të zgjedhur lirisht dhe drejtpërdrejt sundimtarët e tyre dhe për të marrë pjesë në formësimin e së ardhmes së tyre. Prandaj, inkurajon vizita të rëndësishme diplomatike në Ankara, duke përfshirë vizitat e delegacioneve të larta zyrtare nga Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Arabia Saudite dhe vende të tjera arabe; në një përpjekje të përbashkët që pasqyron faktin se është e vështirë të ndahemi nga realiteti ynë dhe mjedisi ynë gjeografik e jetësor.

Turqia dhe vendet e Gjirit

Falë punës sime si Ambasador i Republikës së Turqisë në Shtetin e Katarit, mund të konfirmoj se siguria kolektive e Gjirit Arabik është në qendër të marrëdhënieve turke të sigurisë. Prandaj, Republika e Turqisë e përshëndeti Deklaratën Al-Ula midis vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) dhe inkurajoi dialogun dypalësh pa parakushte si një mekanizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe dallimeve në vizione, me të drejtën e secilit shtet të miratojë një qasje të pavarur ndaj praktikës politike.

Turqia gjithashtu i jep prioritet të veçantë sigurisë së furnizimit me energji dhe lirisë së lundrimit në ujërat ndërkombëtare dhe dënon të gjitha format e sulmeve ajrore dhe bombardimeve të objekteve civile dhe tregtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe u bën thirrje të gjitha palëve në konflikt në Jemen që t’i jepet fund vuajtjeve të popullit të nderuar jemenas.

Pavarësia në fushën e mbrojtjes

Turqia i ka arritur qëllimet për të mbrojtur interesat e saj falë një politike vetëbesimi të nxitur nga Presidenti Rexhep Tajip Erdogan. Sot, ajo mbron qiejt dhe tokën e saj dhe ruan kufijtë e saj me teknologjinë mbrojtëse shumë të avancuar e të zhvilluar të prodhimit vendas. Turqia nuk po i lutet askujt për armët e saj. Vetëmjaftueshmëria është arritur në shumicën e fushave të industrisë së mbrojtjes. Eksportet e armëve të prodhuara në vend janë rritur me 30 për qind në pesë vitet e fundit, duke përfunduar në vitin 2020, krahasuar me periudhën korresponduese të përfunduar në 2015, sipas një raporti të Institutit Ndërkombëtar për Kërkimin e Paqes në Stokholm (SIPRI).

Nga ana tjetër, importet turke të armëve janë ulur me 59 për qind në pesë vitet e fundit (2016-2020) krahasuar me periudhën 2011-2011, sipas të njëjtit raport.

Turqia po mendon gjithashtu për të ardhmen duke inkurajuar të rinjtë të përfshihen në teknologjinë e avancuar dhe duke punuar për të ndërtuar një program ambicioz hapësinor, duke lëshuar satelitë ushtarakë dhe civilë për të siguruar përparimin e Turqisë midis vendeve të zhvilluara në këtë fushë. Turqia beson se pavarësia e aftësive mbrojtëse është një garanci për të mbrojtur të drejtat e vendit dhe aleatëve të saj nga çdo sulm.

Në të njëjtën kohë, Turqia po kërkon t’i japë përparësi dialogut në Mesdheun Lindor, siç shihet nga një deklaratë e fundit e Ministrisë së Jashtme turke, si një koment për një samit që mblodhi së bashku liderët e Greqisë, Qipros greke dhe Egjiptit. Turqia e pa këtë si një përpjekje të dështuar për të minuar interesat e saj dhe të turqve qipriotë. Marina turke ka reaguar me vendosmëri ndaj përpjekjeve greke dhe qipriote për të pushtuar ujërat me rëndësi ekonomike, duke dërguar një mesazh të qartë se nuk është e mundur të zhvillohet ndonjë projekt i ardhshëm për shfrytëzimin e burimeve të Mesdheut Lindor bazuar në cenimin e të drejtave të Turqisë dhe Qipros turke.

Rritja ekonomike

Pavarësisht pandemisë së virusit koronar në mbarë botën, Turqia ka arritur shifra rekord të pashembullta në eksport. Pritshmëritë janë në rritje për të arritur një rekord në eksportet turke në vitin aktual, më i madhi në historinë e Republikës. Vlera e eksporteve do të jetë më shumë se 210 miliardë dollarë, pasi pati një rënie në 169.6 miliardë dollarë në vitin 2020.

Për herë të parë, Turqia arriti 1 për qind të totalit të eksporteve botërore, pasi përbënte vetëm 0,14 për qind të eksporteve botërore në vitin 1980.

Vizioni ynë për të ardhmen bazohet gjithashtu në forcimin e pavarësisë së shtetit në fushën e energjisë dhe diversifikimin e burimeve të saj. Zbulimet e fundit të gazit i kanë dhënë vendit shpresë për përmirësimin e pozicionit të tij në tregun e energjisë dhe për të arritur mjaftueshmërinë e nevojshme të pjesshme me rritjen e ekonomisë turke, e cila pritet të arrijë një normë deri në 9 për qind këtë vit, sipas statistikave zyrtare.

Ne besojmë se çdo hap apo progres ekonomik që bëjmë inkurajon investimet në vendin tonë. Turqia mirëpret bashkëpunimin që garanton akses në tregje të rëndësishme në Azinë Qendrore, Evropë dhe Lindjen e Mesme. Ne u bëjmë thirrje vëllezërve tanë arabë që të punojmë së bashku për të siguruar një të ardhme më të sigurt dhe më paqësore për brezat e ardhshëm, të cilët duhet të jenë të vetëdijshëm se në këtë pjesë të botës ata kanë jo vetëm një të kaluar, por edhe një të tashme dhe një të ardhme të ndritur, në dashtë Zoti.

*Mustafa Göksu është ambasador i Republikës së Turqisë në Katar.

You may also like