Militanti i Hamasit hyn me makinë drejt turmës në Tel Aviv dhe sulmon me thikë, të paktën tetë të plagosur

by admin
Spread the love

Një militant i Hamasit përplasi të martën makinën e tij në një stacion autobusi të mbushur me njerëz në Tel Aviv e më pas nisi të godasë me thikë ata që ndodheshin aty, duke plagosur tetë vetë.

Grupet militante palestineze e vlerësuan sulmin, duke e cilësuar atë si përgjigje ndaj operacionit të vazhdueshëm ushtarak të Izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Shefi i policisë Kobi Shabtai u tha gazetarëve se një civil i armatosur kishte qëlluar dhe vrarë personin që kreu sulmin në Tel Aviv.

Ngjarja vjen ndërsa trupat izraelite po vazhdojnë kërkimet për militantë palestinezë dhe armë në kampin e refugjatëve Jenin. Buldozerë ushtarakë u futen mes rrugicave duke detyruar largimin e mijëra banorëve. Numri i viktimave në mesin e palestinezëve u rrit në 10, brenda dy ditësh.

Bastisja në shkallë të gjerë, e cila filloi të hënën, është një nga operacionet më intensive ushtarake në Bregun Perëndimor të pushtuar në gati dy dekada.

Ajo vjen ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu po përballet me një trysni në rritje nga aleatët e tij politikë ultranacionalistë për një përgjigje të ashpër ndaj sulmeve të fundit ndaj vendbanimeve izraelite.

Më shumë se 140 palestinezë janë vrarë këtë vit në Bregun Perëndimor, pasojë e rritjes së dhunës njëvjeçare. Si pasojë e sulmeve palestineze janë vrarë të paktën 26 izraelitë.

Grupi militant islamik Hamas e vlerësoi autorin e sulmit në Tel Aviv duke e cilësuar si një “luftëtar martir” dhe tha se sulmi ishte “heroik dhe hakmarrës për operacionin ushtarake në Jenin”. Nuk dihet nëse personi që kreu sulmin ishte dërguar nga grupi apo ka vepruar vetë. Sulmi u vlerësua edhe nga Xhihadi Islamik, një grup militant me një prani të madhe në Jenin.


Top Channel

You may also like