Mijëra ukrainas tentojnë t’i shpëtojnë rekrutimit në ushtri duke kaluar lumenj, duke u fshehur apo u gjymtuar (fotot)

by admin
Spread the love

Të paktën 20,000 burra janë larguar ilegalisht nga Ukraina që prej nisjes së konfliktit për t’i shpëtuar rekrutimit në luftën brutale me Rusinë, thuhet në raportin e sotëm të rrjetit britanik BBC.

Disa prej tyre dëshmojnë sesi notonin në lumenj të rrezikshëm kufitare për t’u larguar nga vendi, hiqeshin si të sëmurë ose gjymtoheshin me plagë të ndryshme për t’u dukur të paaftë për frontin.

21,113 burra të tjerë raportohet se janë kapur nga autoritetet ukrainase teksa tentonin të largoheshin. Ndërkohë në rrjet janë shpërndarë video të dhunshme të trajtimit të zyrtarëve ushtarakë ukrainas ndaj personave që refuzojnë rekrutimin.

Pas pushtimit të Rusisë burrat 18-60 vjeç ndaloheshin të largoheshin nga vendi.

“Çfarë duhet të bëj unë në Ukrainë?” pyeste Yevgeny, duke folur me rrjetin BBC. “Nuk jam luftëtar, ata nuk mund të mbajnë të gjithë vendin mbyllur. Nuk i mbledhin dot të gjithë si në kohën e Bashkimit Sovjetik”, shtonte burri.

BBC shkruan se shumica e të larguarve dilnin ilegalisht nga vendi për t’i shpëtuar rekrutimit në front, të tjerë fabrikonin sëmundje ose dëmtime dhe një pjesë merrnin dokumente false për t’u përjashtuar nga ushtria.

Personat që përjashtohen nga rekrutimi janë vetëm ata me probleme mjekësore ose baballarët me tre ose më shumë fëmijë.

Administrata e Zelensky ka dënuar më parë vendime të korruptuara nga komisionet ushtarake të rekrutimit për përjashtimet, duke bërë shkarkime të gjera.

Në një video është shfaqur në rrjet një burrë që noton mes lumit Dniester drejt Moldavisë, ku rojet e atjeshme e ndihmonin të dilte në breg.

Ndërsa në pamje më të vrazhda janë parë njerëz të nxjerrë të vdekur nga lumi Tisa mes Ukrainës e Rumanisë, teksa tentonin të largoheshin drejt kësaj të fundit.

Puononjësi i ndërtimit Yevgeny, i intervistuar në një qendër refugjatësh në Moldavi, thotë për BBC se thjesht kaloi kufirin në këmbë dhe kërkoi azil.

Ndërsa Vlad thotë se u largua duke notuar përmes lumit Tisa drejt Rumanisë.

Vlad shtonte se me anë të komunikimeve në rrjet u ndihmua nga një burrë i quajtur Danilo, për kalimet mes lumit Tisa, i cili eshte pjese e nje rrjeti qe eshte krijuar per te përfituar nga kalimet ilegale.

Ata që kapen duke tentuar largimin e jashtëligjshëm nga vendi rrezikojnë gjoba të rënda ose burg.

Teksa lufta në lindje të vendit vazhdon, Ukraina thotë se ka nevojë për të gjithë ushtarët që mundet të mbledhë.