Mijëra protestojnë në Sllovaki kundër reformës së kodit penal nga qeveria populiste

by admin
Spread the love

Mijëra njerëz dolën mbrëmë në rrugët e kryeqytetit sllovak Bratislava për të protestuar ndaj reformës së kodit kriminal të vendit, të kritikuar nga opozita dhe nga bashkimi Evropian.

Reformat raportohet se përfshijnë zbutjen e dënimeve për korrupsion dhe krime financiare, madje hiqnin të drejtën e mbrojtjes për zyrtarët që i denonconin ato, shkruan rrjeti AFP.

Javës që shkoi qeveria aprovoi heqjen e agjencisë së prokurorëve për korrupsionin e lartë  dhe krimin e organizuar, në vendin anëtar të BE me 5.4 milionë banorë.

Kryeministri sllovak Robert Fico tha më herët se kjo agjenci ishte e njëanshme dhe nuk kishte trajtuar me drejtësi rastet e partisë së tij Smer-SD.

Sipas organizatorëve rreth 15,000 protestues kishin ardhur në kryeqytet për të protestuar, teksa demonstrata më të vogla u mbajtën në disa qytete të tjera.

“Kjo qeveri kërkon të prishë rendin ligjor,” tha në protestën në Bratislava kreu opozitar i SaS, Richard Sulik.

Edhe disa zyrtarë evropianë kishin kritikuar planet e ndryshimeve.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian tha se organi i kishte kërkuar qeverisë sllovake të mos avanconte me ndryshimet, veçanërisht jo me procedurë të shpejtuar.

Organizatorët e protestës thanë se do të vijojnë veprimin e tyre edhe në ditët në vijim.