Mihail Gorbaçov lë pas një trashëgimi që nuk do të harrohet

by admin
Spread the love

Pikëllim, admirim, mirënjohje: Pas vdekjes së Mihail Gorbaçovit politikanë të nivelit të lartë nga e gjithë bota kanë vlerësuar nobelistin e Paqes dhe kreun e fundit të Bashkimit Sovjetik.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres është shprehur “thellësisht i prekur” për vdekjen e ish-presidentit sovjetik, Mihail Gorbaçov duke e vlerësuar atë si një “burrë shteti unikal” që ka ndryshuar rrjedhën e historisë. “Ai ka kontribuar më shumë se kushdo tjetër për dhënien fund të Luftës së Ftohtë”, u shpreh Guterres.

Presidenti amerikan, Joe Biden e cilësoi Gorbaçovin si politikan me “horizont të jashtëzakonshëm”. Si kreu i atëhershëm i Bashkimit Sovjetik ai punoi së bashku me presidentin e atëhershëm, Ronald Regan për të reduktuar arsenalin e armëve bërthamore. Në vendin e tij Gorbaçov nisi rrugën e “reformave demokratike pas dekadash të shtypjes brutale politike”. Gorbaçov nuk e pa “glasnostin” dhe “perestrojkën” – hapje dhe reformim “thjesht si slogane”.

Trashëgimi që nuk do të harrohet

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ngriti lart veçanërisht rolin e Gorbaçovit për Europën. Ai luajti rol vendimtar për rënien e Perdes së Hekurt, shkroi von der Leyen në twiter. Ajo e vlerësoi Gorbaçovin si një lider të besueshëm dhe të respektuar. “Ai hapi rrugën për një Europë të lirë. Këtë trashëgimi ne nuk do ta harrojmë kurrë.” Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel e vlerësoi Gorbaçovin si luftëtar për paqen dhe i shprehu ngushëllimet familjes, miqve të tij dhe popullit rus. Gorbaçov ka qenë një njeri, që ia kushtoi jetën me angazhim të madh paqes dhe lirisë, shkroi Michel në twitter.

Kurse presidenti francez, Emmanuel Macron e vlerësoi Gorbaçovin si “njeri të paqes, vendimet e të cilit i hapën rusëve rrugën për lirinë.” Më tej Macron vlerësoi se “angazhimi i tij për paqen në Europë ka ndryshuar historinë tonë të përbashkët.”

Kryeministri britanik, Boris Johnson deklaroi se “se e kam admiruar gjithmonë guximin dhe integritetin që ai tregoi, kur i dha fund Luftës së Ftohtë.” Kryeministri në largim duke iu referuar luftës që nisi Putini në Ukrainë tha, se “në kohët e agresionit të Putinit në Ukrainë angazhimi i tij i palodhur (i Gorbaçovit) për hapjen e shoqërisë sovjetike është një shembull për ne të gjithë.”

Pa Gorbaçovin nuk do kishte bashkim të Gjermanisë

Në Gjermani Gorbaçov ka qenë shumë i vlerësuar për kontributin e tij për bashkimin e Gjermanisë. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialdemokrate, Lars Klingbeil vlerësoi Gorbaçovin për rolin e tij në përfundimin e Luftës së Ftohtë. “Pa të revolucioni paqësor nuk do të ishte zhvilluar aq paqësisht, dhe ndoshta bashkimi gjerman nuk do të ishte kryer”, shkroi Klingbeil në twitter. Kurse kreu i CSU-së, Markus Söder e vlerësoi Gorbaçovin si një njeri të “që më parë se të tjerët i i kuptoi shenjat e kohës, përfundoi Luftës e Ftohtë dhe mundësoi një periudhë të gjatë të paqes.” Söder theksoi se “rrugën e bashkimit të Gjermanisë ai e hapi pa hezitim.”

Ministrja gjermane e Arsimit, BettinaStark-Watzinger shkroi në twitter se Gjermania i është shumë mirënjohëse Gorbaçovit. “Ai inicioi fundin e Luftës së Ftohtë, mundësoi bashkimin gjerman dhe i dhuroi vendit të tij një moment demokratik.” Kurse kreu i Partisë Kristiandemokrate, CDU, Friedrich Merz u shpreh se “pa Mihail Gorbaçovin bashkimi gjerman nuk do të kishte qenë i mundur. CDU mban zi për një burrë shtetit, të cilit Gjermania mund t’i besonte, e që na besonte.” “A mund ta ndryshojë një njeri i vetëm botën? Po. Mundet. Jo me dhunë, jo me tanke, me tërheqje të 350.000 ushtarëve sovjetikë nga Gjermania. Liri për miliona vetë në Europën lindore. Bashkimi gjerman. Të pamendueshme pa Mihail Gorbaçovin”, shkroi ish-kreu i CDU-së, dhe politikani gjerman, Armin Laschet.”/DW

You may also like