Mesfushori i Juves beson te trajneri, Rabio: E ndjej, Alegri do të shpikë diçka për Interin

by admin
Spread the love

Adrien Rabio është gati për duelin kun dër Interit, madje në intervistën “Heroes” të rrjetit “DAZN”, ku gazetarin e bën ish-sulmuesi i Juventusit, Alesandro Matri, mesfushori francez duket edhe shumë i karikuar. Për më tepër, ai konfirmon se ka një besim të verbër tek idetë e trajnerit Masimiliano Alegri. Arsyeja e madhe pse ai zgjodhi Juventusin 5 vite më parë, por mbi të gjitha pse rinovoi qoftë edhe për një sezon të vetëm, verën e kaluar, pas përfundimit të kontratës, pavarësisht ofertave të shumta dhe multimilionere nga e gjithë Europa.

LIDHJA ME ALEGRIN “Isha takuar me Alegrin 5 vite më parë, përpara se të firmosja me Juventusin. Pasi folëm gjatë, ai më tha troç, më donte këtu te Juventusi, por pasi nënshkrova, në fund të sezonit të parë së bashku ai u largua dhe largimi i tij nuk më la një ndjesi të mirë. Gjithsesi ritakimi, pas rikthimit të tij, bëri që të krijohej menjëherë një lidhje e fortë mes nesh. E mbaj mend ende sezonin tim të parë te Juvja. Kisha 6 muaj pa asnjë minutë lojë dhe kritikat më mbulonin në fund të çdo sfide. Më duhej të përshtatesha, por e kisha shumë të vështirë. Por tani jo, pas rikthimit të Alegrit, të dy së bashku komunikuam gjatë, folëm për aspektet teknike e taktikë dhe falë tij, sot jam rikthyer që të shprehem në nivelet e mia më të mira, përveç se jam rritur shumë në këto 5 vite, në shumë aspekte. Tek Alegri më pëlqen shumë mentaliteti i tij fitues.

Ai nuk kërkon gjëra të mëdha, por ato të lehtat të bëhen mirë dhe jam dakord me këtë pikëpamje. Pastaj, edhe si person është fantastik, pasi të paktën për mua merakoset shpesh. Edhe kur jemi me pushime më dërgon mesazh, gjithashtu komunikojmë edhe pas stërvitjeve. Çfarë më pëlqen tjetër te Maksi? Kur ai tërbohet nuk ka aspak turp që të gjithë zemërimin e tij, t’ia tregojë të gjithëve. Ndonëse shumë prej nesh nga fusha bëjmë sikur nuk e shohim shpërthimin e tij, në të vërtetë unë të paktën, e kam parë dhe e pres atë shpërthim, pasi e di se çfarë situatash loje ai nuk duron dot. Por me besimin, Maks është një personazh shumë pozitiv dhe e adhuron punën e tij. E jeton çdo ndeshje në maksimum dhe dëshiron të qëndrojë në lojë deri në fund”, vazhdon Rabio, i cili lidhur me shiritin e kapitenit në mungesë të Danilos dhe mundësinë e rinovimit nënvizon:

”Jam i lumtur që Alegri dhe skuadra kanë besim tek unë, që më kanë zgjedhur zëvendëskapiten. Është përgjegjësi dhe kënaqësi e madhe, duke menduar për historinë e kësaj skuadre. Dhe jam shumë i lumtur këtu, e pranoj, ndonëse ëndrra ime është që të fitoj Ligën e Kampioneve. Për rinovimin do të flasim në ditët në vazhdim, tani është më mirë që të fokusohemi tek Interi. Kjo është një sfidë shumë decizive”. Me Interin për titull Dueli i të dielës ndaj zikaltërve mund të jetë një trampolinë për kampionatin dhe Adrien Rabio e di fare mirë këtë. “Nuk dua të jem as optimist dhe as pesimist. Duhet thjesht të bëjmë detyrën tonë në fushë dhe në fund të presim se çfarë do të ndodhë.

Por më besoni, jam i bindur se Alegri do të dijë që të shpikë diçka për këtë ndeshje, pasi ka mentalitet fitues, ua përsëris, ai jeton për futbollin. Analizon në detaje çdo gjë, godet shpesh me zëvendësimet dhe prej tij kam mësuar edhe unë. Kam nisur të studioj kundërshtarët e mi, ata me të cilët do të përballem ndeshjen e ardhshme, dhe kjo më ndihmon që të luaj sa më mirë, por studioj edhe gabimet e mia që të përmirësohem. Idhulli im? Stivën Xherrard, një lojtar që luftonte në çdo cep të fushës, por mbi të gjitha, një lojtar që sapo gjente hapësirën, nuk nguronte që të godiste dhe nga 30 metra. Ai kishte një shënjestër fantastike. Unë punoj që t’i ngjasoj sa më shumë”, përfundoi ylli i “zonjës së vjetër”

.Përgatiti: JETON STAMOLLA

 

You may also like