Mes modës dhe ambicieve si kuqezi, rrëfehet portieri. Menja: S’jam më i miri, dua trofe me Milanin

by admin
Spread the love

Majk Menja, portieri i Milanit dhe i kombëtares franceze, ka dhënë një intervistë të gjatë për revistën “GQ Italia”, në të cilën ai flet për gjithçka, përfshirë futbollin, familjen dhe modën.

Në sezonet e fundit keni qenë ndër më të mirët në Europë…

Por nuk ndihem si një portier spektakolar. Mundohem t’i bëj gjërat në mënyrën më të thjeshtë të mundshme.

Cila është cilësia më e mirë që duhet të ketë një portier?

Mentaliteti.

Po filozofia juaj?

Filozofia ime, e shkruar gjithashtu në dorezat dhe këpucët e mia ku thuhet: “besim, disiplinë, punë, durim dhe përulësi”. Ky është mentaliteti im i përditshëm.

Një nga sekretet tuaja është besimi te vetja, apo jo?

Kam punuar shumë për të qenë këtu ku jam sot. Pra, po, në një farë mënyre prisja të arrija këto nivele. Dhe besoj në angazhimin e vështirë të përditshëm duke pasur besim në punën time.

Shumë mendojnë se jeni portieri më i mirë në botë, a mendoni se jeni?

Nuk do t’ju them jo… (qesh). Ka shumë portierë shumë të mirë, kështu që unë vazhdoj të punoj shumë. Megjithatë, shikoj vetëm veten time: e di potencialin tim, më të mirën që mund të jap.

Besimi dhe ndjenja juaj e detyrës vijnë nga larg dhe i kanë rrënjët në fëmijërinë e tuaj, kur ende jetonit në një periferi të vështirë të Parisit…

Jam një person me vetëbesim dhe punëtor, por në të njëjtën kohë familja është jashtëzakonisht e rëndësishme për mua. Mendoj se ka një moment për çdo gjë në jetë dhe duhet të gjesh ekuilibrin e duhur për të performuar mirë dhe në të njëjtën kohë për t’i kushtuar kohë të dashurve, sepse edhe për ata i bëj të gjitha këto. Kam një objektiv për të arritur dhe qëndroj i fokusuar, kjo është gjëja më e rëndësishme.

Cilat janë objektivat tuaj?

Kam shumë ëndrra që do të doja t’i realizoja, por mbi të gjitha do të doja të arrij në nivelin më të lartë në futboll, të kapërcej kufijtë e mi dhe të lë gjurmë në histori.

Një mendim për titullin me Milanin e fituar me meritë të madhe në vitin 2022?

Atmosfera gjatë paradës me të gjithë tifozët, kur parakaluam nëpër qytet me autobus, ishte një moment i jashtëzakonshëm dhe unik. Te Milani kam gjetur shokë dhe tifozë të jashtëzakonshëm. Një familje. Këtu do të doja të fitoja sa më shumë tituj.

Jeni një portier i veçantë jo vetëm mes shtyllave, por edhe në lojën me këmbë…

Mendoj se jam një portier modern, por për të qenë një portier i mirë duhet të dish të përziesh shkollën e re dhe të vjetër. Moderniteti dhe loja e vjetër janë përbërësit për të marrë kombinimin më të mirë.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI- PANORAMASPORT.AL

You may also like