Merren peng 7 punonjës në një kompani amerikane në Turqi – Shqip

by admin
Spread the love

Një situatë pengmarrjeje raportohet në Kocaeli të Turqisë. Sipas asaj që raportojnë mediat turke, një person i armatosur ka bastisur një kompani amerikane duke marrë peng të paktën 7 punonjës. Personi në fjalë raportohet ta ketë ndërmarrë këtë akt në shenjë proteste për sulmet në Gaza.

Pengmarrësi mësohet se hyri në kompaninë Procter & Gamble (P&G), që operon në fushën e pastrimit dhe produkteve të kujdesit personal, rreth orës 15:00 të kësaj të enjteje. Forca të shumta policie shkuan drejt vendit të ngjarjes, së bashku me guvernatorin e rajonit Seddar Yavuz.

Në mesin e personave të marrë peng raportohet të jenë edhe dy gra. Njëra prej tyre arriti të komunikonte me bashkëshortin duke i thënë se ishte marrë peng, por ndodhej në gjendje të mirë.

“Gruaja ime punon në departamentin e financave. E telefonova dhe mu përgjigj: Më tha jemi mirë, jemi marrë peng, dhe pastaj e mbylli. Kaq, nuk tha asgjë tjetër. Më vonë më shkruajti në WhatsApp. Më tha se jemi mirë, ai nuk na ka bërë asgjë”, tha bashkëshorti i saj.

Ndërkohë mediat turke kanë publikuar edhe këtë foto, që raportohet të jetë e autorit të dyshuar, i cili nuk është identifikuar ende./tvklan.al

You may also like