Merr fund makthi i Berishës, e pret ish-skuadra e Andrea Pirlos në Turqi

by admin
Spread the love

Etrit Berisha më në fund pritet që të largohet nga Torino. Gardiani nga Prishtina nuk luan prej më shumë se 1 viti në Itali, teksa ndeshjen e fundit e ka regjistruar në 20 maj të vitit të shkuar.

Që nga ajo datë, ai ka luajtur vetëm 4 ndeshje me kombëtaren e Shqipërisë dhe një miqësore verën e shkuar me Torinon.

Problemet që ka patur me trajnerin Ivan Juriç kanë bërë që ai të mos angazhohet në asnjë ndeshje këtë edicion, diçka që e ka penalizuar jo pak, pasi për një periudhë të konsiderueshme ai u detyrua që të stërvitej i diferencuar. Mediat raportojnë se vuajtja e Berishës do të marrë fund, pasi në horizont është një aventurë e re.

Berisha pritet që të transferohet në Turqi, tek skuadra e Fatih Karagumruk. Sezonin e shkuar, kjo skuadër u drejtua nga Andrea Pirlo, i cili u largua për rezultatet larg pritshmërive. 34-vjeçari me gjasa do të zhvendoset në elitën e futbollit turk, ku natyrisht kërkon që të rikthehet në fushën e lojës si protagonist.

Pritet që shumë shpejt, Berisha të prezantohet tek skuadra e re. Gardiani do të largohet nga Italia pas plot 10 vitesh, teksa në një dekadë në Gadishullin e Apenineve, ai ka luajtur me Torinon, Spallin, Atalantën dhe Lazion. Turqia do të jetë vendi i tretë që viziton, teksa më parë ka luajtur dhe në Suedi me Kalmarin. /Supersport


Top Channel

You may also like