Meksikë/ ​U raportua i zhdukur, gjendet trupi i gazetarit të vrarë

by admin
Spread the love

Trupi i pajetë i një prej gazetarëve kryesorë të Meksikës është gjetur në shtetin perëndimor të Nayarit, disa ditë pasi ai u raportua i zhdukur.

Luis Martin Sanchez Iniguez, 59 vjeç, punonte për La Jornada dhe ishte zhdukur që prej të mërkurës.

Vdekja e tij po trajtohet si vrasje e lidhur me punën e tij, në një nga vendet më të rrezikshme për gazetarët.

Sanchez është një nga tre gazetarët që janë rrëmbyer në Meksikë ditët e fundit.

Trupi i tij u gjet të shtunën në fshatin El Ahuacate pranë qytetit Tepic, tha zyra e prokurorit publik,  një ditë pasi gruaja e tij e denoncoi të zhdukur.

Mendohet se Sanchez u vra midis 24 dhe 48 orësh para se të gjendej trupi i tij.

Zhdukja e tij ndodhi një ditë pasi një mësues, i cili ishte edhe ish-reporter, u zhduk gjatë rrugës për në punë. Vendndodhja e burrit, i quajtur Osiris, mbetet e panjohur.

Personi i tretë që u zhduk ishte një burrë i quajtur Jonathan, për të cilin autoritetet thanë se u rrëmbye të premten, por më vonë u gjet i gjallë dhe në një gjendje të mirë shëndetësore.

Vdekja e Sanchez ka ngjallur zemërim si në Meksikë, ashtu edhe ndërkombëtarisht. ndërsa Komisioni Meksikan për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Njeriut, u ka kërkuar autoriteteve të sqarojnë se çfarë ka ndodhur.

Dega Amerikane e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve është ndër grupet e tjera të të drejtave që kanë dënuar gjithashtu vrasjen.

Sanchez nuk është gazetari i parë që vihet në shënjestër në Meksikë këtë vit.

Jose Ramiro Araujo, një fotograf lajmesh, u vra në shtetin verior të Baja California në shkurt. La Jornada tha se të paktën katër persona të tjerë janë vrarë gjithashtu.

Organizatat për lirinë e shtypit e kanë renditur vazhdimisht Meksikën si një nga vendet më të rrezikshme për punën e gazetarëve.

Rreth 150 gazetarë janë vrarë atje që nga viti 2000, sipas grupit ndërkombëtar “Reporters Without Borders”.


Top Channel

You may also like