Më datat 5 dhe 6 maj 2022 në Prishtinë, do të mbahet Panairi i Turizmit dhe Sportit

by admin
Spread the love

Këtë vit do të mbahet edicioni i 18-të i këtij panairi.

Hapja solemne e këtij panairi do të bëhet më datë 5 maj, në ora 11 në
Pallatin e Rinisë në kryeqytet.

Të ftuar në cilësinë e folësve janë: Kryeministri Albin Kurti, Hajrullah
Çeku, ministër i Kulturës, Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Përparim Rama,
kryetar i komunës së Prishtinës, Ismet Krasniqi, kryetari i KOK, Hysen
Sogojeva, kryetari i OHTK, Gëzim Hajdinaga, drejtor i agjencisë së Turizmit në
Ulqin.

Ky panair mbledhë në Prishtinë tash e 18 vite akterët kryesorë të turizmit
nga katër vendet e Ballkanit, si: Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria e Mali
i Zi.

Ndërsa këtë vit, organizatorët thonë se kanë oferta edhe nga Greqia, Turqia
dhe një prezantim grupor të bizneseve nga regjioni i Puglias së Italisë.

Panairit të Turizmit para 4 viteve i është shtuar edhe sektori i sportit,
pasi sporti në vete  cilësohet edhe turizëm, ku një pjesë e madhe e
kompanive turistike vendore janë rritur falë rritjes së aktiviteteve sportive
në vend.

Këtë vit, kompania Congress & Event Organization (CEO) njofton se ka
bërë një memorandum bashkëpunimi me Odën e Hotelerisë së Kosovës për t’iu
ofruar mundësi promovimi të gjithë anëtarëve të kësaj Ode.  Në këtë
edicion, sipas njoftimit, falë këtij bashkëpunimi është arritur të grumbullohen
mbi 20 anëtarë të OHKT-së si pjesëmarrës në panair.

Gjithashtu edhe Turizmi malor (Outdoor) vitet e fundit ka pasur një rritje
të konsiderueshme dhe një impakt mjaft të madh në zhvillimin e turizmit rural.

Ky lloj turizmi është duke kontribuar në futjen e Kosovës në itinerarin e
guidave ndërkombëtare malore, duke ndihmuar kështu ardhjen e grupeve të
turistëve ndërkombëtarë gjatë gjithë vitit. Pra në këtë panair do të mund të
gjeni edhe biznese të këtij lloji duke u njoftuar me ofertat dhe aventurat
turistike malore të tyre.

Një nga aktivitetet shumë atraktive që vlenë të përmendet dhe që do të
zhvillohet gjatë këtij panairi, është edhe ngjitja dhe lëshimi me litarë nga
çatia e Pallatit të Rinisë. Ky aktivitet do të zhvillohet me ndihmën dhe
asistencën e alpinistëve profesionistë të Klubit Alpin Prishtina, alpinistë të
cilët e kanë shkelur edhe majën e Everestit.

Përpos aktiviteteve që u përmendën, është duke u punuar shumë që të bëhet
edhe montimi i një zip line-i, për të gjithë ata që duan ta rrisin adrenalinën
dhe kënaqësinë, të cilët i ftojmë ta vizitojnë panairin me datën 05 maj në
Pallatin e Rinisë. 

You may also like