Mbyllja e kolegjit turk,Rama:Është zbatuar ligji, përdorimi i fëmijëve ndërgjegje e ulët

by admin
Spread the love

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me vendimin e Këshillit të Ministrave për mbylljen e shkollës “Mehmet Akif Ersoy”.

Në një status në “Twitter” ai shkruan se pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti ndërsa shton se po bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni.

Rama thekson se shkolla është mbyllur pasi është shitur godina ku funksiononte për të cilën ishte marrë leja dhe është hapur diku tjetër pa marrë lejen sipas ligjit dhe pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standartet e kërkuara ligjërisht.

Lidhur me protestën e fëmijëve në ambientet e kësaj shkolle këtë të premte, Rama thotë se tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të edukimit.

“Pas çdo vendimi kërkohet një qëllim tjetër nga i vërteti dhe bombardohet publiku me lajme të rreme e me teori konspiracioni! S’ka asgjë të tillë dhe asnjë qëllim tjetër përveç zbatimit të barabartë të ligjit në rastin e heqjes së një liçence shkolle si plot të tjera më parë. Të shesësh godinën ku ke lejen e aktivitetit shkollor dhe të hapësh aktivitetin diku tjetër, pa marrë lejen sipas ligjit, pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standartet e kërkuara ligjërisht, është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e liçencës. Përdorimi i fëmijëve pastaj për të fshehur fajin karshi ligjit, prindërve dhe vetë nxënësve, duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë, kur në fakt je verifikuar jo një po dy herë në shkelje, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të një vatre edukimi”-shkruan Rama./Opinion.al

You may also like