Mbappe pritet të jetë transferimi i madh i Real Madridit këtë vit

by admin
Spread the love

Menjëherë pas festës së Vitit të Ri 2024 ka filluar edhe numërimi prapa për të ardhmen e francezit Kylian Mbappe.

Mund të jetë një fillim nervoz i këtij viti për Paris Saint-Germainin dhe tifozët e tij, me spekulimet që do të intensifikohen për sulmuesin e tyre, një nga dy lojtarët e vetëm në historinë e futbollit që ka shënuar “hat-trick” në finale të Kupës së Botës.

Mbappe e filloi këtë edicion garues me një bllokim transferimi, pasi nuk pranoi opsionin e rinovimit të kontratës me PSG-në deri në vitin 2025. Kjo do të thotë se duke filluar nga 1 janari ai mund të flasë hapur me klubet e tjera apo edhe të nënshkruajë parakontratë me Real Madridin që mbetet destinacioni më i preferuar për të.

Në garë mbetet edhe skuadra e Liverpoolit. Këto dy skuadra do të luftojnë deri në fund për të siguruar shërbimet e francezit të jashtëzakonshëm. Mbappe mund të fillojë negociatat për shkak se kontrata i skadon në qershor, kur ai mund të largohet si lojtar i lirë nga Parisi, ekip të cilit iu bashkua në vitin 2018 për 180 milionë euro. Ylli francez është edhe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te PSG-ja edhe pse sapo ka mbushur 25 vjet. Ai me fanellën e Parisit ka shënuar 233 gola, ndërsa ka edhe 46 gola të realizuar me Përfaqësuesen e Francës.

Mbappe nuk ka pasur periudhë të mirë së fundi te Parisi, i cili dështoi të kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dy edicionet e fundit, ndërsa këtë edicion mezi arriti ta kalojë fazën e grupeve. Edhe pse Mbappe ka shënuar 21 gola në 22 paraqitje në të gjitha garat këtë edicion, ai dështoi të lërë gjurmë kur PSG-ja pësoi nga Newcastle (4:1) dhe Milani (2:1).

Zhgënjimi i tij është parë në disa nga ndeshjet kampionale të PSG-së gjatë tri edicioneve të fundit, kur reagonte ashpër për shkak të pësimit të golave të lehtë të ekipit. Kjo vinte nga mbrojtja e dobët dhe mungesa e punës në grup. Ai vazhdimisht ka insistuar se dëshiron ta fitojë “Topin e Artë” – çmimin më prestigjioz të futbollit – por edhe Ligën e Kampionëve. Nëse do ta fitoj ndonjërin prej këtyre trofeve me Parisin, mbetet të shihet në atë që mund të konsiderohet edicioni i fundit në futbollin francez.

“Mbappe ka vendosur të largohet nga Parisi në verë si lojtar i lirë dhe ai është i bindur se po largohet nga ky klub në kohën e duhur pasi synimet i ka të mëdha”, ka shkruar “Le Parisien” ditë më parë.

Destinacioni më i mundshëm i francezit mbetet Real Madridi, ekip që ka tentuar dy herë transferimin e tij, por që është refuzuar nga PSG-ja. Klubi francez në vitin 2021 refuzoi ofertën prej 180 milionë eurosh, ndërsa një vit më pas Parisi e bindi Mbappen ta rinovojë kontratën edhe për 12 muaj. Ai te Real Madridi, shihet si pasardhësi natyral i Karim Benzemas, i cili krahas trofeve të Championsit e ka fituar edhe “Topin e Artë” derisa po luante me fanellën e ekipit spanjoll. Interesim për shërbimet e Mbappes kanë shfaqur edhe Liverpooli e Chelsea, por vështirë se Mbappe do të transferohet në njërin prej këtyre klubeve para Real Madridit, ekip të cilin gjithmonë e ka adhuruar.

You may also like