Mazhorancë absolute për Mitsotakis, sulmohet me molotov zyra e PASOK

by admin
Spread the love

Ashtu edhe siç pritej kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka marrë një fitore të madhe në raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare në Greqi.

Të dhënat, pas numërimit të 70% të kutive të votimit flasin për një rezultat 40% për partinë konservatore Demokracia e Re, 17.8% për Syriza, 12.23% të votave i ka marrë PASOK, ndërsa partia “Spartanët”, e drejtuar nga një prej anëtarëve të Agimit të Artë ka marrë vetëm 4.72% të votave.

Për këtë rezultat kaq të thellë reagoi dhe vetë kryeministri Mitsotakis, i cili pasi falënderoi grekët për mbështetjen, premtoi se do të punojë me të gjithë forcën për të përmbushur ato që qytetarët kërkojnë.

“Ndjej detyrën t’i shërbej vendit me të gjitha forcat e mia, grekët na kanë dhënë një mandat të fortë për të ecur në rrugën e ndryshimeve të mëdha e të nevojshme. Unë do të jem kryeministër i të gjithë grekëve, problemet nuk kanë ngjyrë. Kur hodha hapat e parë në politikë 20 vjet më parë, nuk e prisja të kisha një mandat kaq të fortë”, tha Mitsotakis nga selia e Demokracisë së Re në Pire.

Më tej, kryeministri i sapo rikonfirmuar deklaroi se vendin e presin reforma rrënjësore që do ta transformojnë vendin.

“Populli na dha një mazhorancë absolute. Reforma të mëdha do të vijojnë më shpejtësi, në një mandat të ri që do të ndryshojë Greqinë”, u shpreh ish-konsulenti i McKinsey, i cili kishte fituar zgjedhjet dhe një muaj më parë, por që nuk mund të formonte qeverinë për 6 mandate dhe refuzoi koalicionin.

Ndërkohë që në Parlamentin grek rikthehet dhe partia nacionaliste “Spartanët”.

“Pas një kohe të gjatë një parti nacionalistësh rikthehet në parlament. Ne nuk vijmë për të ndarë, por për të bashkuar. Motoja jonë kryesore është bashkimi, diçka që iu mungon sot grekëve”, u shpreh lideri i Spartanëve, Vassilis Stigas.

Sekretari i Partisë Syrizas, Alexis Tsipras e cilësoi shumë të rëndë rezultatin e zgjedhjeve për partinë e tij. Ai deklaroi se populli grek foli qartë dhe për këtë arsye Syriza do të shkojë në një proces riformatimi ku do kërkohet mendimi dhe votëbesimi i anëtarësisë.

Ndërkohë që një incident është regjistruar në Athinë, ku persona të armatosur dhe maskuar kanë sulmuar me gurë dhe bomba Molotov partinë e socialistëve të PASOK.

Nga ky sulm nuk ka persona të lënduar. Policia shkoi në vendngjarje dhe situate është vënë në kontroll.

You may also like