Maturanti nga Karshiaka punon në restorant sa për t`i siguruar mjetet e studimit në bilogji molekulare

by admin
Spread the love

Tashmë me dekada të tëra, rrethina e Karshiakës është lënë pasdore nga pushtetarët, kushdo që ishte në pozitë. Megjithatë, përkundër kushteve të rënda e mizore për jetesë dhe zhdukjes së disa fshatrave nga harta gjeografike, vullneti për t`u arsimuar nuk mungoi asnjëherë.

I tillë është rasti i një nxënësi nga fshati Dikavec, i cili dëshiron të flasë në kushte anonimiteti. Konkretisht bëhet fjalë për nxënësin F. T. i cili është arsimuar në një paralele të kombinuar të shkollës fillore “Marko Cepenkov”, të cilët e vijonin një grusht nxënësish. Në këto kushte arsimimi, është shumë e vështirë të përfitohen njohuri më të hollësishme, pasiqë është e pamundur që një arsimtar të spjegojë të gjitha lëndët për nxënës të klasave të ndryshme.

Por R.T. ishte këmbëngulës, e dëgjonte me shumë kujdes arsimtarin, duke ia memorizuar të gjitha mësimet e zhvilluara. Asnjëherë nuk iu nda librit, megjithëse kushte për mbijetesë në fshatin e izoluar, ndonjëherë kërkonin edhe punë të rënda për të ndihmuar familjen.

Pasi kreu shkollën fillore me sukses të shkëlqyeshëm, R.T. vendosi të regjistrohet në Gjimnazin “Zef Lush Marku” të Shkupit. Viti i parë për të ishte një katrahurë e vërtetë, pasi në fillore shumëpak, pothuajse aspak nuk ishin zhvilluar lëndët e matematikës, fizikës, kimisë e biologjisë. Në këto rrethana R.T. po ndjehej si i humbur, por nuk e kishte ndërmend të dorëzohej në asnjë moment.

Punonte ditë e natë, iu përkushtua me mish e me shpirt vetëm arsimimit, me idenë që ndonjëherë të ndihmonte familjen e tij që po jeton në kushte minimale të ekzistencës.

Kështu kaloi gjysmëvjetori i parë, ndërsa në gjysmëvjetorin e dytë, R.T. e rrotulloi një faqe të re në jetën e tij, pasi po bëhej njëri ndër nxënësit më të mirë të gjimnazit. Në fund të vitit të parë ai ishte i shkëlqyeshëm, duke krijuar imazhin e një nxënësi shembullor e të shkëlqyeshëm. Edukatorë të ndryshëm nga pjesë të botës që po e vizitonin gjimnazin, interesoheshin që ai të vazhdonte shkollimin në vendet e tyre përkatëse, sikurse në Singapor, Turqi etj.

Mirëpo, R.T. i nevojitej familjes, ai duhej t`ia siguronte ekzistencën familjes së vet. Dhe tani, një nxënës me talent të tillë është i detyruar paradite të punojë kamarier, ndërsa pasdite të vijojë mësimet në vitin e katër të gjimnazit.

Vërtetë një anomali e llojit të rrallë, me ç`rast nxënës talentë detyrohen të punojnë pandërprerë për shkak të kushteve të rënda sociale. R.T. ka shprehur dëshirë që pas përfundimit të shkollës së mesme, të vazhdojë studimet në lëndën e biologjisë molekulare, për të cilën pohon se e intereson shumë dhe se mund të arrijë rezultate të mira në këtë drejtim. Mirëpo R.T. ndjehet pak i pasigurt për shkak të mungesës së mjeteve financiare dhe ai mbetet me shpresë se do ta fitojë ndonjë bursë sa për t`ia lehtësuar sado-kudo studimet. Të shpresojmë se lexuesit e portali Shtegu.com, si gjithnjë në raste të tilla do të reagojnë dhe ne me gjithë dëshirë do të krijojmë një urë ndërlidhëse në mes të donatorëve të mundshëm dhe R.T.

You may also like