MARSEJË – Papa Françesku i kërkon Evropës të mirëpresë migrantët dhe të fokusohet në integrim

by admin
Spread the love

MARSEJË, 23 shtator /ATSH-DPA/ – Papa Françesku paralajmëroi sot për rrezikun e izolimit dhe frikësimit përballë migrimit të parregullt nga Afrika përtej Mesdheut në Evropë.

Fati i migrantëve që përpiqen të kalojnë Detin Mesdhe nga Afrika në Evropë është një nga temat kryesore të papës gjatë vizitës së tij në Marsejë, në Francën jugore.

“Mesdheu pasqyron botën, me Jugun që kthehet në Veri, me shumë vende në zhvillim, të rrënuara nga paqëndrueshmëria, regjimet, luftërat dhe shkretëtirëzimi”, tha papa Françesku në fund të një takimi të të rinjve me pjesëmarrës nga 29 vende të Mesdheut.

“Mundësitë e hyrjes së rregullt dhe një pritje e ekuilibruar e migrantëve në Evropë duhet të garantohen”, tha ai.

“Migrimi nuk është as një pushtim, as një emergjencë, por një fakt i kohës sonë që duhet trajtuar. Sigurisht, nuk mund të anashkalohen vështirësitë e pritjes së migrantëve”, shtoi ai.

“Por kriteri kryesor nuk mund të jetë ruajtja e prosperitetit të dikujt, por ruajtja e dinjitetit njerëzor”, tha papa Françesku.

“Integrimi është një proces i mundimshëm, por është një çelës për të ardhmen”, tha ai.

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Marsejë, Papa planifikoi të mbante një meshë për gati 60 000 njerëz.

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili u takua paraprakisht me papën për bisedime, pritet gjithashtu të marrë pjesë në meshë. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like