Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe presidenti, Milo Gjukanoviq zhvilluan një takim pasditen e së martës në selinë e Presidencës, ku diskutuan për situatën aktuale pas krizës së shkaktuar nga miratimi i Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Sipas mediave malazeze, temë diskutimi ka qenë pikërisht miratimi i Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe dhe pasojat politike që mund të sjellë kjo marrëveshje.
Më 8 korrik, qeveria e Abazoviqit miratoi Marrëveshjen Themelore për rregullimin e marrëdhënieve me Kishën Ortodokse Serbe, e cila çoi në tërheqjen e mbështetjes nga Partia Demokratike e Socialistëve dhe Partia Socialdemokrate për qeverinë e pakicës.
Miratimit të Marrëveshjes Themelore i kanë paraprirë reagimet dhe kritikat negative ndaj tekstit të propozuar të palëve, si dhe të një pjese të organizatave joqeveritare, por edhe të opinionit profesional.
Takimi mes Abazoviqit dhe Gjukanoviqit ka përfunduar dhe pritet që të ketë një deklaratë të përbashkët për shtyp.
Partia e Milo Gjukanoviqit ka deklaruar se marrëveshja dëmton interesat kombëtare të vendit dhe për këtë arsye nuk do ta mbështesë më qeverinë e Abazoviqit.
Qeveria mund t’i nënshtrohet një mocioni mosbesimi në të ardhmen, pasi disa prej aleatëve të tij kanë deklaruar se nuk e mbështesin më.
Abazoviqi u përgjigj se “do të shihet se çfarë do të thotë shumica e deputetëve”, duke lënë të kuptohet se ndoshta partia e Gjukanoviqit nuk do të mund të sigurojë një shumicë prej 41 deputetësh për shkarkimin e qeverisë.
Vetë Abazoviqi ka thënë se të gjitha opsionet janë në tavolinë, mes tyre edhe zgjedhjet, ndërsa qytetarët kanë nisur protestat kundër kësaj marrëveshjeje.
Rruga Press