Marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë kanë qenë në rritje në vitin 2021

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Një varg takimesh dhe vizitash të nivelit më të lartë, disa prej të cilave edhe me karakter historik, marrëveshje të nënshkruara bashkëpunimi, përpjekje për thellimin e bashkëpunimit, shënuan vitin 2021 në marrëdhëniet maqedonaso-greke, që duket se kanë hyrë në rrjedhë normale, lëvizin duke shënuar rritje e sipër, akulli është thyer që moti, ndërsa besimi forcohet gjithnjë e më shumë, por në të njëjtën kohë Greqia mbetet mbështetëse e fortë e perspektivës së BE-së të Maqedonisë së Veriut.

Presidenti, kryeministri, kryeparlamentari, shefi i diplomacisë, zëvendëskryeministrat, ministrat e Qeverisë në disa raste, qoftë zyrtarisht ose për të marrë pjesë në konferenca, kanë vizituar Athinën, ndërsa kanë ekzistuar edhe udhëtime kthyese në Shkup, takime të nivelit të lartë që kanë kaluar gjithmonë në atmosferë pozitive dhe konstruktive.

Ishte historike vizita e parë zyrtare e presidentit Stevo Pendarovski, i cili në fillim të tetorit, në nivelin më të lartë, u prit me të gjitha nderimet shtetërore nga presidentja greke Katerina Sakelaropulu, realizoi një varg takimesh, në mesin e të cilave edhe me kryeministrin grek Kirjakos Micotakis.

Bëhet fjalë për vizitën e parë të nivelin më të lartë mes dy shteteve, duke marrë parasysh atë se deri më tani, asnjë president i vendit tonë nuk e ka vizituar Athinën, e as ndonjë president grek nuk ka qenë në Shkup.

Porositë nga takimet ishin se Greqia mbështet fuqishëm perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, se ka përkushtim nga të dyja vendet për respektimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, duke u bazuar në parimin “pacta sunt servanda”, por edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe duke bërë përpjekje të sinqerta dhe dypalëshe për afrimin më të madh të dy vendeve dhe dy popujve.

Në intervistën për AIM, në fund të vizitës së parë historike dyditore zyrtare në Greqi, presidenti theksoi se vizita si e tillë tregon se marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve po hyjnë në rrjedhë normale, edhe pse është vetëm fillimi i një procesi më të gjatë në të cilin ai personalisht pret që “dinamika e marrëdhënieve politike në nivelin më të lartë politik, kryeministror, presidencial, ministror, do të vazhdojë të zhvillohet, por ritmi është premtues”.

Në të dyja takimet e mia, flas për këto në nivelin më të lartë politik me kryeministrin dhe Presidentin, nga ana ime thashë: do të doja që kjo lloj vizite të bëhej rutinë. Që nga momenti kur do të bëhen rutinë, kjo do të thotë se marrëdhëniet dypalëshe janë normalizuar plotësisht. Ende nuk janë normalizuar, e dini që nuk janë. Ato, në një rast gjatë takimit, kryeministri Micotakis i quajti “plagë ende të freskëta” në segmente të caktuara të spektrit politik në Republikën Helene. Pra, kjo ekziston te ne, ekziston rezistencë, ende ekzistojnë njerëz që nuk besojnë në Marrëveshjen e Prespës, përkundër përfitimeve evidente të saj, efekteve pozitive në zhvillimin e shtetit. Ju e dini që në Greqi, ju jeni këtu me vite të tëra, kjo rezistencë ishte edhe më e madhe, sidomos në ato rajone që gravitojnë drejt kufirit me ne. Kështu që, do të duhet kohë dhe mendoj se do të duhet edukim i gjeneratave të reja, që duhet të edukohen në frymën e solidaritetit dhe tolerancës evropiane”, tha Pendarovski për AIM.

Presidentja greke Katerina Sakelaropulu në fjalën e saj në darkën për nder të Pendarovskit, duke iu referuar rëndësisë së vizitës së parë zyrtare të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Greqi, theksoi se “tashmë është hapur një kapitull i rëndësishëm në marrëdhëniet tona dypalëshe, që U jep impuls të ri.”.

Vizitën e parë në Athinë si kryetar i Kuvendit, e realizoi edhe Talat Xhaferi, i cili dy javë pas vizitës së Pendarovskit, mori pjesë në Konferencën e kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, ndërsa në margjinat u takua me kryetarin e Parlamentit grek Konstantinos Tasulas.

Në takimin, i cili ishte i pari i këtij niveli, Tasulas dhe Xhaferi kanë biseduar për thellimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit, për çka që të dy, në deklaratat pas takimit, shprehën vullnet dhe gatishmëri.

Tasulasi theksoi se parlamentet që ata i kryesojnë duhet të tregojnë rrugën për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërsa Xhaferi porositi se ky është takimi i parë duhet të jetë nxitje për komunikim dhe bashkëpunim më intensiv të ndërsjellë.

You may also like