Maine heq nga fleta e votimit ish-Presidentin Trump – Shqip

by admin
Spread the love

Sekretarja e shtetit të Maine deklaroi se Trump nuk mund të kandidojë pas kryengritjes në capitol në 2021

Maine bëhet shteti i dytë që largon emrin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump nga fletëvotimi për zgjedhjet paraprake presidenciale.

Sekretarja e Shtetit të Maine Shenna Bellows, një demokrate bëhet zyrtarja e parë e cila ndërmerr një veprim të njëanshëm, e me pasoja të mundshme në garën e përgjithshme presidenciale. Vendimi mund të apelohet në Gjykatën e Lartë të shtetit dhe Belloës e pezulloi atë deri në një vendim të gjykatës mbi këtë çështje.

Ajo u shpreh se Trump nuk mund të kandidonte sërish për president, për shkak të rolit të tij në sulmin e 6 Janarit 2021 ndaj Kapitolit, duke përmendur pikën tre të amendamentit 14, që ndalon mbajtjen e një posti publik nga një zyrtar që është betuar se do ta mbështesë Kushtetutën dhe më pas është angazhuar në kryengritje kundër saj.

Zyrtarët e fushatës së Trump kanë deklaruar se do të depozitojnë së shpejti një ankim ndaj këtij vendimi. Avokatët e Trump kundërshtojnë akuzat se ish-presidenti u përfshi në rebelim më 6 Janar të vitit 2021 dhe kanë argumentuar se njerëzit në ditën e sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit, mbroheshin nga e drejta e lirisë së shprehjes.

Vendimi i Belloës do të zbatohet vetëm për zgjedhjet paraprake të marsit në Maine, por mund të ndikojë në statusin e Trump për zgjedhjet e përgjithshme të Nëntorit. Vendimi ka të ngjarë të rrisë trysninë mbi Gjykatën e Lartë të vendit për t’i dhënë një përgjigje pikëpyetjeve të ngritura nëse ish-presidenti amerikan kualifikohet për të garuar në mbarë vendin.

Ndaj ish-Presidentit Trump janë ngritur padi si në nivel federal, ashtu edhe në shtetin e Xhorxhias, lidhur me rolin e tij në përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Gjithsesi ndaj tij nuk janë ngritur zyrtarisht akuza për kryengritje apo rebelim në lidhje me sulmin e 6 Janarit. Trump kryeson garën brenda partisë për të fituar, me një diferencë të madhe ndaj kandidatëve të tjerë republikanë.

Më 19 Dhjetor, Gjykata e Lartë e Kolorados e skualifikoi Trump nga zgjedhjet paraprake të shtetit, duke e bërë atë kandidatin e parë në historinë e vendit që konsiderohet i papërshtatshëm për të garuar për president.

Klan News

You may also like