LVV-ja i sulet prokurorit Blerim Isufaj pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut

by admin
Spread the love

Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës arrestoi Kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

Krasniqi ka drejtuar më parë Komitetin për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa pozitën e kryeshefit në KEK e kishte marr më 4 nëntor të vitit 2021 si i përzgjedhur nga Bordi i përkohshëm i ndërmarrjes.

Arrestimi i tij u përfol shumë.

Veç opozitës dhe shoqërisë civile, në orët e vona të ditës së sotme nisën të reagojnë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti Arbër Rexhaj, arrestimin e Krasniqit e lidhi me mos-dekretimin e Blerim Isufajt në postin e Kryeprokurorit nga ana e Presidentes Vjosa Osmani.

“A po hakmerret ai që s’po arrin të bëhet kryeprokuror?”, shkroi Rexha në Facebook.

“Kush është ky Blerim Isufaj që nuk e duan për kryeprokuror asnjëri nga tre krerët shtetërorë (Presidentja, Kryeministri e Kryeparlamentari) e megjithatë don që me çdo kusht e për çfarëdo çmimi të bëhet Kryeprokuror?! Ai ka siklet të madh diku e mbështetje jo të vogël prej ndokujt”, tha deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj.

Kujtojmë se Këshilli Prokurorial i Kosovës, në fillim të këtij muaji i kishte shkruar letër presidentes Osmani për dekretimin e Isufajt si kryeprokuror.

I menjëhershëm ishte reagimi i Zyrës së Presidentes, e cila kërkesën e KPK-së e konsideroi “presion që po tentohet të ushtrohet ndaj institucionit të Presidencës”.

Edhe deputeti tjetër i partisë në pushtet, Halil Thaçi, reagoi për arrestimin e Krasniqit, por ky e konsideroi “lajm të mirë”, ndonëse jo për shkak se e konsideron të njëjtin fajtor.

“Është lajm i mirë kur dëgjova për arrestimin e Drejtorit të KEK-ut, pasi gjithmonë jam frikësuar se do të dëgjoj lajmin mbi atentatin ndaj tij, duke e ditur se sa banditëve ju ka ndalë zhvatjen e KEK-ut. Policia duhet të jetë e vëmendshme për sigurinë e tij, mbase atentati ndaj tij mund të ndodhë edhe aty në mbajtje”, deklaroi deputeti Thaçi.

Ndërkaq Adnan Rrustemi, po ashtu deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, akuzoi prokurorinë që nuk kanë arrestuar askënd para dy vitesh.

“Asnjë aktakuzë e arrestim për një muaj me 16 barrikada në veri, asnjë aktakuzë për qindra dosje të dorëzuara, e mos të flasim që deri para dy viteve ishin aty ku janë si prokurorë për të mbrojtur korrupsionin përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta, por ju hodh sipër kryeshefit të KEK-ut nga LVV! Me porosi atëherë, me porosi gjithmonë, me porositës të njëjtë”, shkroi Rrustemi.

Reagim pati edhe aktivistja dhe koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali.

Edhe Mihali, arrestimin e kryeshefit të KEK-ut e ndërlidhi me Prokurorin Blerim Isufaj.

“Do të shihni këto javë e muaj shumë urdhra nga Prokuroria Speciale. Vjet në këtë kohë bënë shumë përpjekje. Shumë hetime, shumë vepra të vjetra të aksioneve tona politike, çdo deklaratë të vitit 2020 për ministrat e kthyen në hetim. Pas një viti prapë. Prokuroria Speciale e Blerim Isufajt në veprim”.

“Pse do të thoni ju? Kur ja heq një herë në jetë fletëarrestin kryekriminelit Millan Radojçiq, çka mendoni ju se mund të bëjë tjetër një prokuror si Blerim Isufaj përveçse të zhytet edhe më thellë në ujëra të zeza”.

“Por qesh mirë kush qesh i fundit. Prokuror Elezin e detyruan të braktiste Kosovën se nuk ua ‘pastroi’ rastin VETERANËT. Po ne nuk ikim. Jemi shumë. Edhe të vendosur. Kosova shtet i së drejtës”, shkroi Mihali në Facebook.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi në orët e sotme të pasdites se ka arrestuar kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqin.

Krasniqi është arrestuar si i dyshuar për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

“Po ashtu, njësia e veçantë e hetimeve sot ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura”.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, njoftoi PSRK-ja.

Me aktvendim të prokurorit të shtetit, Krasniqi është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

You may also like