Luis Enrique ‘kërcënon’ Barcelonën: E nisim me presing, i sigurt që kualifikohemi

by admin
Spread the love

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis Enrique duket i bindur te përmbysja në sfidën e kthimit, e planifikuar për të martën në mbrëmje.

Tekniku spanjoll ka dalë në konferencën e zakonshme, ku ndër të tjera e ka cilësuar të pamerituar humbjen e PSG-së në ndeshjen e parë dhe ka kërkuar përqendrim maksimal për ndeshjen e të martës.

“Kemi analizuar mirë ndeshjen e parë dhe mund të them se kemi pësuar një humbje të pamerituar. Kemi pasur kohë të përmirësohemi dhe në ndeshjen e kthimit do të hyjmë në presing që nga fillimi. Të gjithë lojtarët janë gati, përfshi edhe Mbappenë dhe të gjithë kanë një dëshirë të madhe për përmbysje”, u shpreh Luis Enrique.

Tekniku që në të shkuarën ka drejtuar edhe Barcelonën, ka deklaruar se do ët preferonte që sfida të luhej në “Camp Nou”, teksa ka analizuar edhe lojën e kundërshtarëve.

“Do të më pëlqente ‘Camp Nou’, edhe pse e di që është e vështirë të luash me 90 mijë tifozë kundër. Presim një Barcelonë të kujdesshme, që do të luajë me topa të gjatë drejt linjës së fundit të mbrojtjes tonë, për të shfrytëzuar hapësirat. Edhe në ndeshjen e parë Ter Stegen nisi 24 topa të gjatë, shifër kjo rekord për një portier të Barcelonës”, theksoi trajneri i Paris Saint Germain./ss

You may also like