Lufta në Ukrainë: Çfarë lloj arme vrau 50 persona në stacionin hekurudhor?

by admin
Spread the love
Ekspertët ushtarakë kanë gjetur prova të qarta se një bombë thërrmuese është përdorur në stacionin në sulmin ndaj stacionit hekurudhor të Kramatorsk

Manisha Ganguly dhe Joe Inwood – BBC News

Një investigim i BBC-së ka gjetur prova të qarta se një bombë thërrmuese, e ndaluar nga shumë vende sipas ligjit ndërkombëtar, është përdorur në sulmin e ndodhur të premten e shkuar në stacionin hekurudhor të Kramatorsk në Ukrainë.

Këto armë dërgojnë një ngarkesë bombash që shpërndahen dhe shpërthejnë në një zonë të gjerë.

Më shumë se 50 persona mbetën të vrarë kur raketa goditi stacionin, i cili ishte i mbushur me njerëz që po përpiqeshin të largoheshin nga lindja e vendit, më 8 Prill.

Më shumë se 120 vende kanë rënë dakord për një traktat që ndalon përdorimin e këtyre armëve, por jo Rusia apo Ukraina.

Çfarë provash ka për armët thërrmuese?

Gazetarët e BBC-së që vizituan stacionin pas sulmit gjetën modele të qarta në terren që përputhen me përdorimin e armëve thërrmuese.

Shpërthimet e shumta zakonisht shpërndajnë fragmente rreth vendit të goditjes kryesore të raketës, duke lënë gjurmë në secilin vend ku ajo ka impakt.

Një ndërtesë pranë stacionit tregonte pikërisht dëmet e përhapura pranë një vrime të madhe të krijuar në mur.

Gazetarëve të Washington Post, të cilët ishin në vendngjarje fare pak kohë pas sulmit, dëshmitarët u thanë se kishin dëgjuar “një shpërthim fillestar të ndjekur nga katër deri në pesë shpërthime” të tjera. Ky model zhurme është në përputhje me atë të një bombe thërrmuese.

Mbetjet e një rakete Tochka-U të epokës sovjetike u gjetën pas sulmit.

Është një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi që mund të pajiset me një kokë që mban 50 bomba të vogla, të cilat mund të shpërthejnë pas goditjes.

Ka prova që Rusia i ka përdorur edhe më parë këto raketa në konfliktin aktual, megjithëse edhe Ukraina e ka këtë armë në arsenalin e saj.

Rusia e mohoi më parë përdorimin e tyre në rajonet Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës, por këto pretendime janë të diskutueshme.

Si punon nje bombe thermuese

Çfarë thonë ekspertët ushtarakë?

Sidharth Kaushal, një ekspert i raketave tha: “Shenja e goditjes është mjaft e ngjashme me një nën-municion si 9N24, një municion thërrmues i epokës sovjetike që mund të bartet nga raketa Tochka”.

Ai vuri në dukje kraterin qendror mjaft të cekët dhe shenjat rrezatuese të fragmentimit që duket se janë në një drejtim, gjë që është në përputhje me nën-municionet e asaj forme.

BBC foli me dy ekspertë të tjerë që pajtohen me këto gjetje.

BBC thotë po ashtu se është përpjekur të identifikojë vendin e lëshimit të raketës, duke përdorur video dhe imazhe të mediave sociale, por deri më tani nuk ka qenë në gjendje ta bëjë këtë.

Pse janë të ndaluara municionet thërrmuese?

Përdorimi i këtyre armëve ka ngjallur kritika në shkallë të gjerë nga grupet e të drejtave të njeriut për shkak të dëmeve që ato shkaktojnë dhe dëmit specifik që ato shkaktojnë për civilët në zonat e konfliktit.

Këto armë mund të lëshojnë deri në 50 bomba në një rreze deri në 400 m, me potencialin për të shkaktuar shumë viktima në zonat e populluara.

Ekziston gjithashtu rreziku që disa nga nën-municione të mos shpërthejnë, diçka e zakonshme tek raketat e vjetra sovjetike, siç është Tochka.

Konventa e vitit 2008 mbi municionet thërrmuese ndalon përdorimin e këtyre armëve, por Rusia dhe Ukraina nuk janë nënshkruese të traktatit.

Më herët gjatë konfliktit, kishte akuza se forcat ruse po përdornin municione thërrmuese në zonën e Kharkhivit, duke bërë që Gjykata Penale Ndërkombëtare të hapte një hetim.

You may also like