LSI kundër zgjatjes së afateve të vetingut, Vasili: Është kthyer në zahire kompromisesh të kulisave

by admin
Spread the love

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili, ka reaguar në lidhje me procesin e vetingut, ndërsa nuk i ka kursyer kritikat as për qeverinë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Vasili thekson se shtyrja e vetingut është kthyer sipas tij në “zahire” kompromisesh. Ai u shpreh, se drejtësia në vend është kapur nga qeveria.

“Tam tamet e vetingut nuk mbulojnë dot zhgënjimin e thellë qytetar me drejtësinë! Po çfarë fitoi qytetari nga reforma në drejtësi? Asgjë. Për fat të keq perceptimi për drejtësinë është shumë më negativ se sa përpara reformës. Shtyrja e vetingut është kthyer thjesht në “zahire” kompromisesh të kulisave, që përpiqet të errësojë dështimin. Qytetarët nuk kanë përfituar asgjë, përveç zhgënjimit dhe padrejtësisë. Kapja e drejtësisë nga qeveria dhe pandëshkueshmëria e saj janë të vetmet “arritje” të reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi kishte vetëm një qëllim që të afronte një drejtësi të paanshme, të shpejtë dhe profesionale. Por reforma nuk është e shpejtë, por përkundrazi ajo është shtyrë me vite, sa që ka mjaft qytetarë, që po ikin nga kjo jetë dhe dosjet e tyre nuk janë prekur me dorë”, tha ai.

Ndër të tjera, Vasili u shpreh se gjykatat në vend kanë dosje të shumta, të cilat kanë mbetur pezull. Ai theksoi, se gjykata me numrin më të lartë të dosjeve është Gjykata e Lartë.

“Efikasiteti i sistemit gjyqësor është cenuar nga procedimet e zgjatura, nga vendimet e pakta që janë dhënë dhe nga dosjet e shumta që mbeten pezull. Gjykatat e Apelit kanë një numër shumë të madh çështjesh të trashëguara dhe vakanca të shumta gjyqtarësh. Kohëzgjatja mesatare për një çështje në Apel është 998 ditë për çështje të kriminalitetit dhe 1742 ditë për çështjet civile dhe ato administrative. Gjykatat me më shumë dosje të mbetura pezull janë Gjykata e Lartë dhe ajo Administrative e Apelit. Gjykata e Lartë ka numrin më të madh të çështjeve pezull, gjithsej 36 mijë e 288 çështje nga të cilat 27 mijë e 843 presin prej më shumë se dy vitesh” tha ai.

You may also like