Lojëra e baste me Asllanin, Fratezi: Ju rrëfej Interin, me Kristjanin nuk shkoj për…

by admin
Spread the love

Davide Fratezi është i paduruar kur bëhet fjalë për lojëra dhe peshkim, por aventurën e tij tek Interi e ka marrë me qetësi. Hap pas hapi duke fituar minuta dhe terren përpara mesfushorëve që janë duke dhënë leksione futbolli. Në një intervistë për “Gazzetta Dello Sport”, tregon sekretet e skuadrës zikaltër dhe bastet dhe dhuratat me Kristjan Asllanin. Dy mesfushorët kanë raport shumë miqësor jashtë fushave të lojës. Bën një premtim të çmendur nëse zikaltrit fitojnë titullin kampion: Do të marrë gjyshen në autobusin e skuadrës për të festuar sepse është personazh i çmendur.

Fratezi, një gol çdo 224 minuta në të gjitha kompeticionet. Edhe pse luani pak, keni mesataren si një sulmues. Pse ndodh kjo?

Unë besoj gjithmonë, futem në çdo moment në zona të rrezikshme, ekzaltohem kur rrëmbej topat nga rivali dhe shkoj t’i finalizoj. Por më bukur është kur skuadra fiton dhe janë të gjithë të përfshirë. Inzagi ishte i zoti që të mos “humbte” asnjë lojtar rrugës, edhe atëherë kur luanin të njëjtët. Ai vinte dhe fliste me lojtarët e stolit duke na bërë të rëndësishëm dhe na motivonte.

Ju në fakt jeni i vetmi titullar i kombëtares që luan si rezervë në klub?

As nuk e mendoja që do të isha titullar. Do të ishte budallallëk ta mendoja. Madje 100% të mesfushorëve të tjerë në Serinë A nuk do të ishin titullarë këtu. Qëndrimin në stol e përjetoj si diçka normale, një rast për t’u rritur. Nuk jam penduar kurrë që kam zgjedhur Interin.

Nuk është frustruese që luajnë tre të tjerët Mkitarian, Çalha dhe Barela?

Jo. Është një stimul më shumë për mua. Unë ndihem një mesfushor modern dhe intensiv. Duhet të bëj rrugëtimin tim dhe të shpresoj të jem titullar në të ardhmen. Duhet të përmirësohem në ndërtimin e aksioneve. Barela është modeli për t’u ndjekur. Edhe ai ishte si unë, por tani është përmirësuar në qarkullimin e topit.

Çfarë do të donit të rrëmbenit nga treshja e mesfushës së Interit?

Nga Çalhanoglu goditjen dhe qetësinë. Është një nga organizatorët më të mirë në botë. Nga Mkitarian do merrja teknikën dhe inteligjencën taktike. Nga Barela doja këtë shkëndijën psikologjike që të çon në tjetër nivel.

Cili është sekreti i kësaj atmosfere në skuadër?

Niveli është shumë i lartë. Askush nuk bën fenomenin këtu. Inzagi di mjaft mirë të na menaxhojë grupin, edhe atëherë kur situata nuk është pozitive. Të gjithë në këtë grup kanë një rol për të bërë të rëndësishëm tjetrin. Arnautoviç duhet të na bëjë dhuratë. Përpara Atletikos, unë, ai, Asllani dhe Karlos Augusto vendosëm që kush shënon një gol duhet t’u bëjë dhuratë 3 të tjerëve. Jemi duke e pritur Arnautoviçin, por edhe unë shënova me Leçen…

Kush është shoku i skuadrës që ju ka befasuar më shumë deri tani?

Në grumbullimet e para, Turam nuk duhej kaq i fortë teknikisht, por në fillimin e kampionatit u transformua. U shndërrua në një lojtar të frikshëm, në teknikë dhe në kombinime.

Çfarë ndjesie keni që nga stoli ndryshuat fatin e një ndeshje Champions-i si ajo ndaj Atletikos?

Në San Siro nuk mund të mos futesh me thikën ndër dhëmbë. Me energjinë që të jep stadiumi mund të thyej çdo mur që më del përpara. Tani edhe në Madrid na pret një tjetër atmosferë e tillë. Duhet të jemi të duruar dhe të luftojmë, sidomos në fillim. Pastaj me kalimin e minutave edhe ata do të hapen dhe do të kemi hapësira për kundërsulme.

Spaleti në një intervistë për “Gazzetta Dello Sport” ka thënë se ju jeni njeriu perfekt për një ndeshje futbolli. Si ju ka bindur?

Përpara së gjithash jemi duke ndjekur rregullat e tij, janë për të mirën tonë. Të shpjegon gjithçka që duhet të bësh në fushën e lojës dhe kemi një aksion që e dimë përmendësh dhe shpëtojmë prej tij. Është trajneri perfekt për kombëtaren. Në fushë është një “maniak” i detajeve.

Në kombëtare e takoni, por sot në “San Siro” do të ritakoheni me Skamakën. I keni thënë se çfarë ka humbur që nuk erdhi tek Interi?

Në verë i thashë që këtu ishte ambienti i duhur, por nuk insistova shumë. Tani jemi rivalë, por ai është miku im më i mirë në futboll. Jemi të ndryshëm. Edhe pse jetonim shumë afër, ai dukej si një njeri i Romës së veriut, ndërsa unë Romës së jugut.

Kush është lojtari më i fortë me të cilin ju pëlqen të sfidoheni në fushën e lojës?

Më pëlqejnë betejat fizike me Teo Hernandezin. Është i shpejtë, i egër dhe shumë i fortë. Është bukur të sfidohesh me të. Për fat, herët e fundit duelet i ka fituar skuadra ime.

Po ju, a keni frikë nga diçka?

Kam frikë nga fluturimi. Por për fat nuk jam unë i vetmi. Edhe Turam kur është në avion nuk ndodhet në habitatin e tij. Kështu që i japim guxim njëri-tjetrit.

Kujt do t’i thoni faleminderit për këtë që keni arritur deri tani?

Im atë u ofendua kur i thashë që ta linte punën. M’u përgjigj: “Paratë e mia i fitoj vetë”. Ka qenë mësimi më i mirë i jetës. I them atij faleminderit. Por edhe nënës time që më ka qëndruar afër, por edhe gjyshin tim Karmine. Nuk jeton më, por më shoqëronte në stërvitje. I jam falënderues edhe gjyshes që është 77 vjeç dhe kërcente në diskotekë me ne. Çfarë personazhi është!

Është e vërtetë që nuk shikoni futboll në shtëpi?

Jo. Më mërzit shumë. Luaj lojëra të tjera më të dashurën time si Monopoli. Edhe ajo do të fitojë po aq sa unë dhe zihemi shpesh. Më pëlqen edhe “escape room” (lojë që duhet të dalësh nga një dhomë duke gjetur çelësin me logjikë dhe falë inteligjencës). Kam marrë me vete edhe Asllanin, por nuk e kuptoi fare si lojë. Pasioni më i madh është peshkimi nënujor. Një herë kam kapur një 4 kilogramë.

Do të shkonit ndonjëherë për peshk me Inzagin?

Atë e shoh më mirë në peshkimin me kallam. Është i duruar dhe i pret lojtarët që të japin më të mirën. Nuk do të shkoja kurrë për peshkim nënujor me Asllanin, sepse mund të ngatërrohet dhe më qëllon mua… Ndoshta me Karlos Auguston sepse ai nuk mërzitet kurrë për asgjë. Ndihem mirë me të gjithë lojtarët.

Kompletoni fjalinë: Nëse fitojmë titullin kampion…

Është ende shumë herët. Por nëse ndodh, do të marrë gjyshen Stefania në autobusin e festimeve. Do t’i argëtonte të gjithë dhe ndoshta duhet të më ndalë që të mos hidhem nga gëzimi.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

You may also like