Lloga me kritika për Këshillin Gjyqësor, po përgatitet grup punues për reforma

by admin
Spread the love

Prokurorët e gjyqtarët më tepër kontrollohen nga oligarkët sesa nga politika. Kështu pohoi mbrëmë në Click Plus, ministri i drejtësisë, Krenar Lloga. E për të përmirësuar lëmshin e krijuar në sistemin e drejtësisë, Lloga tha se do të punohet në tre pjesë të ndryshme, e për të cilat ka marrë mbështetje politike si nga partitë në pushtet, ashtu edhe prej atyre në opozitë. Bëhet fjalë për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, zgjidhja me sistemin AKMIS si dhe reforma në këshillin gjyqësor. E sa i përket Këshillit Gjyqësor, Lloga tha se po formohet një grup punues prej ekspertëve më të mirë për të realizuar reforma në atë këshill.

Përveç profesorit akademik Vllado Kambovski, do të jetë Margarita Caca Nikollovska, ish gjyqtare në Gjykatën Europiane për të drejtat e njeriut, njëherit ishte edhe kryetare e grupit punues për ndryshime kushtetuese. Profesor Bajram Pollozhani, ish gjykatës. Sali Murat, ish kryetar i gjykatës kushtetuese. Besa Ademi, kryetare aktuale e gjykatës supreme. Branko Naumovski, ish kryetar i gjykatës kushtetuese. Xhemali Saiti, ish gjykatës por edhe kryetar I shoqatës së gjyqtarëve. Po ashtu edhe Denis Preshova, Gjorgji Radojkov, profesor Jeton Shasivari, Ana Pavlova Daneva, profesoresha Besa Arifi, prorektore në UEJL”, tha Krenar Lloga – Ministër i Drejtësisë.

Përpos tyre, në grupin punues do të ketë edhe përfaqësues nga shoqata e gjyqtarëve të Maqedonisë, përfaqësues të ministrisë së drejtësisë por edhe organizata joqeveritare. Lloga propozon që anëtarët e këshillit duhet të vijnë të zgjedhur nga Kuvendi i Shoqatës së Gjykatësve.

Vërejtjet më të mëdha ministri Lloga i kishte për përzgjedhjen e kryetares së re të Gjykatës së Kumanovës, Snezhana Manev. Në raportin vlerësues të kësaj gjykatëse, thuhej se e njëjta ka përdorur fjalë ofenduese në baza kombësie, por edhe ka zvarritur lëndët përmes sistemit AKMIS.

“Raporti i tyre për gjykatën e Kumanovës thekson po ashtu se, sjellja vulgare me fjalë të ulëta të tipit që i kam edhe në raport këtu. Me fjalë të tipit, “shiptari, goveda, nesposobni”, tha Krenar Lloga – Ministër i Drejtësisë.

Kujt po ja atribuoni që i ka thënë këto?
Kryetarja e Gjykatës së Kumanovës.

“Pas kësaj që të mund t’i mbulojnë këto pisllëqe, pas gjashtë muajsh, duke i lejuar kryetares aktuale të gjyqit që të mund të punojë ndërkohë, bëjnë një raport plotësues. Dhe në këtë raport thuhet që atëherë kur ka ofenduar kryetarja e gjykatës, ka ofenduar për të gjithë, jo vetëm për shqiptarët”, pohoi Krenar Lloga – Ministër i Drejtësisë.

Sa i përket kryetares së Gjykatës Supreme Besa Ademi, Lloga tha se pas deklarimeve për presione politike, ajo tani e ka për borxh të del publikisht të tregojë se kush në të vërtetë po bënë presion ndaj gjykatësve suprem, por të njëjtat gjithashtu t’i denoncojë në prokurori dhe polici.

You may also like