Lirimi i Todosijeviqit nga akuzat, Alija: Vendimet e Supremes duhet respektuar (VIDEO)

by admin
Spread the love

Gjykata Supreme ka marrë vendim sot që ta lirojë nga të gjitha akuzat ish-ministrin e Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Raportuesi i proceseve gjyqësore, Amer Alija, në një lidhje direkte në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se pavarësisht asaj që dikush mund të mos pajtohet, ky vendim i Gjykatës Supreme duhet respektuar.

“Tani më Gjykata Supreme është gjykata e shkallës së tretë dhe ne juristët qoftë mund të kemi edhe mendime të ndryshme sikur që kolegji i Supremes ka mendime ndryshe nga dy kolegjet paraprake të shkallës së parë dhe të dytë”, ka thënë Alija.

“Të gjitha mendimet e shkallës së tretë duhet të respektohen ashtu siç janë interpretuar nga ky kolegj edhe pse shkalla e parë fillimisht e ka dënuar me dy vjet burgim dhe pastaj me 1 vit burgim dhe shkalla e dytë gjithmonë i ka konfirmuar këto vendime të shkallës së parë”, ka shtuar ai.

Tutje, ai vlerëson se Gjykata Supreme ka më shumë përvojë dhe është filtri i fundit i drejtësisë.

“Ka një mendim ndryshe duke menduar se këto fjalët të cilat i ka thënë ish-ministri nuk përbëjnë vepër penale dhe palët në procedurë duhet të pajtohen me vendimin e shkallës së tretë”, ka përfunduar Alija.

Kujtojmë se Todosijeviq ishte dënuar me një vit burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për nxitje të urrejtjes, përçarjes, ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik. Ai e kishte cilësuar trillim Masakrën e Reçakut.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

klankosova.tv

You may also like