Liria zyrtarizon trajnerin Ali Gunes

by admin
Spread the love

Liria ka zyrtarizuar trajnerin e ri. Në stinorin pranveror, skuadra prizrenase do të drejtohet nga turku Ali Gunes.

Sipas njoftimit të Lirisë, me emërimin e Gunesit synohet mbetja në Superligë.

“Me angazhimin e trajnerit Gunes si dhe përforcimet e bëra, do të luftojmë shumë për të mbetur në Superligë”, ka thënë kryetari Valon Osmani.

Osmani pohoi se brenda disa ditësh priten edhe “tre përforcime cilësore”.

Trajneri Gunes ka drejtuar disa skuadra në Turqi, përfshirë Osmanlisporin (Ankaraspor), Hataysporin, Yeni Malatyasporin, Adana Demirsporin, Alanyasporin e të tjera. Së fundmi punoi si shef i skautëve të Gaziantepi.

Liria së fundmi shkarkoi trajnerin Mirsad Jonuzi pas vetëm dy muajsh. Para Jonuzit, Lirinë e drejtoi nga fillim i këtij sezoni një tjetër trajner turk, Nedim Yigit.

Përkundër ndryshimeve në shtabin teknik të klubit, Liria pjesën e parë të këtij edicioni e ka përfunduar në pozitën e fundit në Superligë me vetëm nëntë pikë të mbledhura pas 18 ndeshjeve të luajtura.

You may also like