Limani shpallet “Ylli i Javës”

by admin
Spread the love

Qendërmbrojtësi i Prishtinës, Ardian Limani e ka fituar epitetin e futbollistit më të mirë për xhiron e 20-të në Superligën e Kosovës në futboll.

FFK-ja, të hënën ka njoftuar se Limani e ka fituar çmimin “Ylli i Javës”, i cili ndahet për lojtarin më të mirë pas çdo xhiroje.

Vlerësimi për futbollistin më të mirë është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit. Sipas këtij komisioni, Limani pati paraqitje fantastike në barazimin e Prishtinës 1:1 në udhëtim te skuadra e Gjilanit.

Limani ishte në nivel të detyrës gjatë tërë ndeshjes, sidomos në mbrojtje por ai ndihmoi edhe në sulm pasi shënoi golin e barazimit në fund të takimit.

Pas pranimit të çmimit, Limani u shpreh i lumtur dhe tejet i motivuar. Për Limanin, kjo është hera e parë që nderohet me këtë çmim pasi Prishtinës iu bashkua gjatë janarit nga Shkëndija e Tetovës.

“Për mua është një kënaqësi e madhe ky çmim, duke e ditur që sapo i jam bashkuar ekipit më të trofeshëm në historinë e futbollit kosovar. Ndihem i vlerësuar dhe ky çmim më jep motiv shtesë që në vazhdoj të ndihmoj edhe më shumë skuadrën time”, tha Limani për faqen zyrtare të FFK-së.

Aktualisht, Prishtina zë vendin e pestë në tabelë me 30 pikë të tubuara dhe ndeshjen e radhës e luan në mesjavë kundër skuadrës së Malishevës.

 

 

You may also like