Libri i një gjenerali që ka trazuar Italinë – Shqip

by admin
Spread the love

 

Komandanti i Institutit Gjeografik Ushtarak të Italisë, gjenerali Roberto Vanacci, është shkarkuar nga posti i tij pas zhurmës së shkaktuar nga një libër i tij i gjykuar si racist dhe homofobik.

Në veprën e tij të titulluar “Bota me kokë poshtë”, e cila u publikua më 10 gusht, 54-vjeçari Vanacci, ish-komandant i Korpusit elitar të Parashutistëve dhe deri vonë komandant i Institutit Gjeografik Ushtarak, paraqitet si “pasardhës i Jul Cezarit”. Gjatë karrierës së tij, gjenerali Vanacci shërbeu në Somali, Ruandë, Afganistan dhe Libi.

“Të dashur homoseksualë, nuk jeni normalë”, thotë ndër të tjera ai, sipas pjesëve të librit të publikuar në mediat italiane. Gjenerali italian dënon gjithashtu “rregullat e diskutueshme të integrimit dhe tolerancës, të vendosura nga pakicat”.

Ai sulmon edhe volejbollisten me ngjyrë, Paola Enogou, e cila garon në kombëtaren italiane, duke thënë se Enogou “është me kombësi italiane, por është e dukshme që tiparet e saj nuk përfaqësojnë italianitetin”.

Të enjten, ministri i Mbrojtjes Guido Croceto, një aleat i ngushtë i kryeministres Georgia Meloni, dënoi “iluzionet” e Vanaccit, duke thënë në një deklaratë se gjenerali “shpreh pikëpamje që diskreditojnë ushtrinë dhe Kushtetutën”.

Ministria e Mbrojtjes “do të fillojë procedurën e përcaktuar disiplinore”, tha ministri, duke theksuar se nuk ishte “informuar për përmbajtjen e librit, i cili nuk ishte dorëzuar për miratim nga hierarkia ushtarake”.

“Nuk e kuptoj pse të tërhiqem për një libër në të cilin shpreh mendimet e mia, pa ofenduar askënd”, tha Vanacci për televizionin Rette 4 të premten.

Qëndrimet e tij shkaktuan një valë reagimesh të zemëruara nga e majta, ndërsa deputetët e së djathtës dhe të djathtës ekstreme heshtën. /tesheshi.com/

You may also like