Lexuesi i Kushtetueses së vitit 1990 thotë se s’janë të kënaqur me atë që kanë synuar (VIDEO)

by admin
Spread the love

2 korriku shënon përvjetorin e miratimit të Kushtetutës së Pavarësisë së Kosovës.

E në lidhje me këtë në Edicionin Special në Klan Kosova ka folur lexuesi i deklaratës së Kushtetutës së Pavarësisë së Kosovës të vitit 1990, Muharrem Shabani, i cili tha se rrethanat në të cilat u miratua kjo deklaratë natyrisht ishin tepër të rënda.

I pyetur për dallimet e deputetëve të asaj kohe dhe të tanishmit, Shabani tha se ka shumë dallime.

“Ne kemi qenë një përfaqësim tjetër fare. Kemi pasur bazën deliguese, këta deputetë nuk kanë bazën deliguese, nuk kanë as kujt ti japin llogari, as përgjegjësi, as të marrin detyra të drejtpërdrejta. Ka komunë që nuk ka deputetë, ka komunë e cila ka pasur mundësinë të ketë më shumë se që duhet deputetë, e ajo dihet në çfarë faze kanë ardhur, sepse kanë mundësi edhe blerje votash e mënyra tjera, prandaj kjo formë e zgjedhjes së deputetëve për mendimin tim nuk është e mirë, ajo duhet të ndryshojë sepse e ngrit edhe përgjegjësinë e deputetëve”, tha Shabani.

Tutje, Shabani u shpreh se nuk janë të kënaqur me atë që kanë synuar, përcjell Klankosova.tv.

“Ne s’kemi pasur rroga, ne kemi pasur vetëm mëditje, kur kemi pasur seanca të Kuvendit, prandaj edhe në këtë kuptim dallon gjendja, por përgjegjësia jonë ka qenë tjetërfare në atë kohë. Ne kemi pasur një rrezik ndryshe, këta kanë kohë me bashkëpunu për interes të shtetit, e jo veç për interesa të ngushta partiake, prandaj, a jemi të kënaqur me atë që kemi synuar? Jo, sepse nuk kemi ende një shtet të mirëfillt, ligjor, të zhvilluar ekonomikisht, Këtu qytetarët e këtij vendi do të duhej të gjenin perspektivë e ardhmëri për këtë vend, e jo siç po ikin”, u shpreh ai.

 

You may also like